Fiks Fare/ Banorët e Rrugës ‘Jordan Misja’ ecin mes makinave, trotuaret pushtohen nga tregtarët ambulant: Punojmë për kafshatën e gojës

21/11/2025 21:00

Shitësit ambulantë prej më shumë se tre vitesh kanë kthyer trotuarët e Rrugës “Jordan Misja” në Tiranë në një treg të hapur, duke bllokuar hapësirat publike dhe duke detyruar këmbësorët të ecin në rrugën e makinave.

Një video e sjellë nga banorët tregon qartë situatën që përsëritet çdo fundjavë, trotuarët nuk shërbejnë më për kalimtarët, por janë shndërruar në tezga për tregtarët e sendeve të përdorura.

Fiks Fare shkoi në terren për të parë nga afër problematikën. Në të dy anët e rrugës, hapësirat e ecjes ishin të zëna nga shitësit, ndërsa kalimtarët lëviznin mes makinave, motorëve dhe betoniereve që kalojnë në zonë. Vetë tregtarët pohojnë se kanë zaptuar hapësirat publike, por justifikohen duke thënë se nuk kanë një vend të përcaktuar për të shitur. “Jemi gabim, por kërkojmë një treg ku të shesim. Kemi vite që jemi këtu. Bashkia na heq e na kthen prapë. Sa herë kemi kërkuar treg, premtohet dhe nuk bëhet asgjë. Gabim jemi, por njerëzit duan të jetojnë”, shprehet një prej tyre.
Nga ana tjetër, banorët janë të shqetësuar, pasi rrezikojnë çdo ditë kur detyrohen të kalojnë mes trafikut. “Çdo fundjavë e njëjta histori. Bllokadë totale. S’di nga të kalosh, është e rrezikshme”, thotë një prej tyre. Një tjetër banor shton: “Trotuari është për këmbësorët, jo për shitësit. Jetojmë në xhungël, kujdesemi vetë.”

Për këtë çështje, Fiksi iu drejtua Agjencisë së Administrimit të Tregjeve. Drejtori Fatjon Dhuli tha se situata është e njohur prej kohësh dhe se janë bërë disa tentativa për sistemimin e tregtarëve. Sipas tij, më parë ata kanë qenë të vendosur në një tokë private, por pronari ka nisur zhvillimin e zonës. Pas largimit, një pjesë e tyre kanë zgjedhur të shesin në hapësira publike. Dhuli thekson se u janë ofruar 30–40 vende të lira në tregun e Shkozës, disa kanë pranuar, ndërsa të tjerët refuzojnë duke thënë se klientela ndodhet te “Jordan Misja”.

Edhe drejtori i Kontrollit të Territorit, Renato Bijo, e njeh problemin. Ai thekson se, pavarësisht vështirësive të tyre, tregtarët janë shkelës të ligjit, pasi kanë zaptuar hapësirat publike. “Ne u kemi dhënë mundësinë për një treg alternativ, por nuk e kanë vlerësuar për shkak të largësisë. Nuk mund t’i lejojmë të përdorin trotuaret. Kemi vepruar me këshillime dhe me bllokime mallrash. Vazhdon negociata me Agjencinë e Tregjeve për të gjetur një vend të përshtatshëm ku ata të mund të çertifikohen dhe të shesin sipas ligjit,” u shpreh Bijo.

Deri sa të gjendet një zgjidhje mes institucioneve dhe shitësve, banorët e zonës do të vazhdojnë të ndajnë të njëjtën rrugë me makinat, duke u ekspozuar çdo ditë ndaj rrezikut.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta