Rritet volumi tregtar nga porti i Durrësit, importet rriten me 27% krahasuar me një vit më parë

20/11/2025 11:40

Porti i Durrësit ka mbyllur dhjetëmujorin e parë të vitit me shifra rekord, duke shënuar rritje në çdo tregues kryesor të aktivitetit.

Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar–tetor 2025 në port janë përpunuar mbi 3.2 milionë tonë mallra, një rritje prej 7.28% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e cila përkthehet në rreth 219 mijë tonë mallra më shumë.

Nga volumi total i mallrave, 2,442,518 tonë përfaqësojnë mallra të importuara, ndërsa 783,478 tonë janë mallra të eksportuara drejt tregjeve ndërkombëtare. Rritja e importeve me 27% tregon zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe demonstron rolin e Portit të Durrësit si një qendër e qëndrueshme furnizimi dhe distribucioni.

Edhe sektori i konteinerëve, sipas APD-së, ka shënuar rritje të ndjeshme. Gjatë dhjetëmujorit janë përpunuar 189,835 TEU, 15% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ky tregues pasqyron intensifikimin e flukseve të mallrave të konteinerizuara dhe rritjen e eficiencës së zinxhirit të furnizimit.

Lëvizja e pasagjerëve ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm rritjeje. Në total, 694,310 udhëtarë kanë përdorur Portin e Durrësit nga janari në tetor, ose 11,597 më shumë se një vit më parë. Prej tyre, 325,507 kanë hyrë në vend, ndërsa 368,803 janë larguar drejt porteve italiane. Ky fluks tregon rritje prej 5% dhe konfirmon Portin e Durrësit si një nga portat kryesore turistike dhe të lëvizjes së pasagjerëve në vend.

Gjatë dhjetëmujorit janë regjistruar gjithashtu 1,764 anije tregtare dhe mjete të tjera lundruese, një tregues i qartë i intensitetit operativ dhe i kapaciteteve të rritura të përpunimit.

“Durrësi vijon të mbetet nyja më e rëndësishme detare dhe logjistike e Shqipërisë, duke përmbushur me eficiencë kërkesat e tregut, duke siguruar standarde të larta operimi dhe duke ndjekur një tendencë të vazhdueshme rritjeje që konfirmon rolin e tij strategjik në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në integrimin me rrjetet rajonale e ndërkombëtare të transportit”, thuhet në njoftimin e APD-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta