Qindra hektarë sipërfaqe toke janë përmbytur nga reshjet e dendura të shiut, duke hedhur poshtë punën e mundimshme të fermerëve, më së shumti në veri.
Tokat bujqësore, kryesisht në zonën e Kurbinit në Mamurras, nga prurjet e mëdha të lumit të Drojës janë dëmtuar, duke vënë në rrezik të mbjellat.
Gjithashtu, edhe në Hamallaj të Durrësit situata shfaqet problematike, ku sipërfaqja e tokës bujqësore që ndodhet nën ujë kap shifrën e 270 ha.
Përmbytjet rrezikojnë të mbjellat dhe ekspertët paralajmërojnë se, nëse reshjet do të zgjasin dhe uji do të qëndrojë për më shumë se katër ditë në nivele të larta, tokat mund të mbeten djerrë për një vit.
Ilir Kristo, dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit thotë: “Nëse koha nuk hapet për një periudhë 5-ditore, ato toka nuk mund të rimbillen më.”
Humbjen më të madhe do ta kenë fermerët e drithërave, pasi reshjet e shiut rrezikojnë të zhdukin fushat e grurit.
“Futja e ujit bllokon ajrin, ky është dëmi që bën përmbytja. Për këtë periudhë që kemi tani, bima kryesore që rrezikon është gruri. Qëndrimi i zgjatur i ujit në tokë, po kaloi disa ditë, më pas kthehet në shkatërrues total të sistemit rrënjor të farave. Asfiksi”, shprehet Kristo.
Dëmet konsiderohen më të pakta për fermerët që kanë investuar në sera, të cilat në këtë sezon janë drejt përfundimit të aktivitetit jetësor të bimës, ndërsa më me fat janë fermerët që kanë mbjellë pemë, pasi ato kanë rezistencë ndaj ujit.
“Përmbytja në sera dëmton bimën nëse ajo është në fazën e parë. Prodhimi në sera, në pjesën më të madhe, mund të jetë në fund të sezonit, pasi kulturat që mbillen në sera janë domatet dhe trangujt. Përgjithësisht, përmbytjet në vendin tonë nuk përkojnë me fazat kritike të pemëtarisë”, shton Kristo.
Pasojat nga shiu po shkaktojnë humbje për fermerët jo vetëm për këtë sezon, por gjithashtu rrezikohet të ketë më pak prodhim edhe në vitin që vjen. Fermerët duhet të gjejnë një tjetër alternativë jetese, sepse tokat dhe stallat e përmbytura jo vetëm që nuk do të sjellin prodhim, por gjithashtu shënojnë një bilanc negativ të gjithë investimit vjetor që është hedhur në fermë.
Top Channel