Në ditën e fundit të afatit kushtetues për formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur dy seanca të jashtëzakonshme.

E para është thirrur në orën 11:00 e ka nëntë pika të rendit të ditës.

Në këtë seancë synohet formimi i komisioneve parlamentare, miratimi i pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Planin e Rritjes, miratimi i Buxhetit për vitin 2026, miratimi i buxheteve të Prishtinës, Gjilanit e Zubin Potokut dhe zgjidhja e çështjes financiare të transmetuesit publik.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar mbështetjen e të gjitha partive politike për t’i kaluar këto çështje që thotë se janë emergjente.

Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e NISMA kanë deklaruat se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, që e cilësojnë të kundërligjshme.

Mospjesëmarrja e partive shqiptare në seancën e orës 11:00, ia rrezikon VV-së edhe kuorumin për mbajtjen e kësaj seance.

Në këtë rast, vetëm pjesëmarrja e Listës Serbe e bën kuorumin për mbarëvajtjen e seancës për buxhetin.

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur edhe seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë, seancë kjo që pritet të nis në orën 14:00.

Këtu pritet që mandatari i dytë, Glauk Konjufca të shpalosë programin dhe përbërjen e qeverisë së re, për çka nuk i ka numrat.

PDK, LDK, AAK e NISMA kanë deklaruar se do votojnë kundër një qeverie të udhëhequr nga Konjufca.

Në rast të dështimit tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është e obliguar të shpallë zgjedhjet e parakohshme, jo më herët se 30 ditë e jo më vonë se 40 ditë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta