Në Bashkinë Devoll u inaugurua sot një projekt pilot i dedikuar parandalimit të zjarreve në zonat pyjore, një nismë e cila synon modernizimin e mënyrës së monitorimit dhe reagimit ndaj emergjencave.
Projekti është realizuar nga shoqata “Dora Prindërore”, me mbështetjen e Ambasadës Australiane dhe kompanisë “Boorevit”, ndërsa në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, partnerëve ndërkombëtarë dhe të Komisariatit të Policisë Devoll.
Kreu i Bashkisë Devoll vlerësoi rëndësinë e projektit, duke e konsideruar si një hap të domosdoshëm drejt parandalimit të zjarreve dhe rritjes së sigurisë në pyje. Ai theksoi se nisma vjen falë bashkëpunimit me shoqatën “Dora Prindërore”, Ambasadën Australiane dhe kompaninë “Boorevit”, e cila ka mundësuar instalimin e pajisjeve inteligjente që sinjalizojnë herët rrezikun nga tymi apo zjarri. Sipas tij, ky projekt duhet të shërbejë si shembull për investime të tjera të ngjashme, që fokusi të jetë te parandalimi dhe jo vetëm te fikja e zjarreve.
“Sot përurojmë projektin pilot të parandalimit nga zjarri, një projekt i iniciuar nga shoqata “Dora Prindërore” me mbështetjen e Ambasadës Australiane dhe firmës “Boorevit”, e cila mundëson prodhimin e produkteve digjitale që paralajmërojnë tymin apo zjarret e rëna. Ndihem i nderuar dhe shpresoj që ky projekt pilot të shërbejë si nje indicie për të marrë masat e duhura dhe ne të bëhemi pjesë e projekteve të tjera pasi koha sot është për ti parandaluar dhe jo të mundohemi të fikim apo monitorojmë zjarret në pyje”, shprehet Eduard Duro, kryetar i Bashkisë Devoll.
Ambasadorja e Australisë Julianne Cowley shprehu vlerësimin për bashkëpunimin me Bashkinë Devoll dhe rëndësinë që ka ky projekt në një territor që, njësoj si Australia, përballet me sfida të ndjeshme nga zjarret në natyrë. Ajo nënvizoi angazhimin e Australisë për të mbështetur teknologjitë që ndihmojnë komunitetet të mbrojnë mjedisin dhe të minimizojnë rreziqet për banorët.
“Jam shumë e lumtur qe jam sot këtu në Bashkinë e Devollit për këtë ditë kaq të rëndësishme. Jemi të lumtur që po mbështesim këtë nismë. Në Australi ne kemi sfida të mëdha me zjarret në pyje dhe është dicka e përbashkët e jona, ndonëse jemi shumë larg nga njëri-tjetri. Për këtë gjë ne jemi të investuar që t’ju mbështesim. Ju urojmë shumë fat dhe jemi në pritje të shohim se si kjo teknologji do të ndihmojë në mbrojtjen e këtij rajoni dhe njerëzve në Shqipëri”, tha Ambasadorja australiane, Julianne Cowley.
Përfaqësuesi i kompanisë teknologjike Gialluca Palomo shpjegoi se sistemi i instaluar në Devoll është një ndër më të avancuarit në botë për parandalimin e zjarreve pyjore. Ai theksoi se sensorët modernë të vendosur në terren mund të identifikojnë sinjale të vogla dhe të transmetojnë informacion në kohë reale, duke e pozicionuar Bashkinë Devoll si një nga zonat e para në rajon që aplikon një teknologji kaq të sofistikuar.
“Ky projekt përfaqëson implementimin e parë në Shqipëri, me një sistem shumë të avancuar në fushën e parandalimit të zjarreve në pyje. Bëhet fjalë për një teknologji inovative që mundëson monitorim të vazhdueshëm drejtpërdrejt brenda pyllit, përmes sensorëve tepër të shpejtë në identifikimin edhe të sinjaleve më të vogla që mund të tregojnë fillimin e një zjarri. Falë kësaj teknologjie, e cila po përhapet me ritme të shpejta në mbarë botën, bëhet e mundur një parandalim efektiv dhe reagim pothuajse në kohë reale. Shqipëria, dhe konkretisht Bashkia Devoll, pozicionohet kështu në pararojë për sa i përket mbrojtjes nga zjarret pyjore, duke u bërë ndër të parat në rajon që zbatojnë një sistem kaq modern dhe të besueshëm”, tha Gialluca Palomo, Ceo i Boorevit.
Me këtë projekt pilot, Devolli synon të ndërtojë një model të ri të menaxhimit të sigurisë dhe mbrojtjes së pyjeve, duke bashkuar teknologjinë me bashkëpunimin ndërinstitucional. Bashkia shpreson që nisma të zgjerohet në zona të tjera dhe të kthehet në një praktikë të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit dhe komunitetit.
Top Channel