Inside Story/ Nga Gjinarari te Billa, njëri në liri e tjetri në varr. Si e çanë rrjetën e drejtësisë të fortët…
Në vitin 2022, një hetim i thelluar i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve nxorri zbuluar fenomenin e raporteve fiktive për të burgosurit.
Inspektimi i kryer në IEVP Fier dhe IEVP 313 në Tiranë zbuloi se si të burgosurit siguronin dokumente me të dhëna të rreme për kriteret e rehabilitimit, sjellje të mirë apo ditë pune fiktive. Këto raporte, u shërbenin atyre më pas për të përfituar ulje dënimi apo për të përfituar nga lirimi me kusht siç zbulohej në materialet hetimore.
“U konstatuan problematika të cilat kanë karakter dhe plotësojnë elementët e veprave penale, të cilat përmenden konkretisht: 19 raste vlerësime sjellje për ulje dënimi janë pasqyruar fakte dhe rrethana të rreme. 6 raste vlerësim sjellje për lirim me kusht janë pasqyruar fakte dhe rrethana të rreme. 28 të dënuarve ju janë dhënë ditë pune në mënyrë fiktive nga IEVP Fier, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve ose shpërdorimit të detyrës e kryer nga punonjës të IEVP.
Lidhur me skemën abuzive, u izoluan në arrest shtëpie të paktën 18 zyrtarë të burgjeve. Por, apeli zbuti masat aso kohe duke i lënë në detyrim paraqitje.
Mes emrave të rëndësishëm të botës së krimit që kishin përfituar ishte edhe Viktor Ymeri, ish anëtar i bandës së Gaxhait të Vlorës. Në fakt, Ymeri ishte liruar në vitin 2019 pikërisht duke përfituar nga ulja e dënimit për sjellje të mirë apo raporte sikur kishte punuar në burg. Një prej rasteve në seri që bëri mjaft bujë aso kohe.
‘Kjo është rregulluar tashmë nuk kemi me të tilla gjëra pasi më përpara abuzohej ndoshta me regjistrimin fiktiv nëpër punët e ndryshme që bëheshin nëpër burgje dhe përfitonin ndoshta dite të padrejta, pasi punët nuk kryehishin nga vetë ata por kryheshin nga persona të tjerë’ u shpreh Bledar Meminaj, avokat.
Pavarësisht lirimit, i forti i Vlorës Viktor Ymeraj u arrestua sërish për të tjera vepra që u zbuluan. Në vitin 2022, organet hetimore konstatuan se Ymeraj kishte përfituar ulje dënimi 70 ditë me të njëjtën skemë, pavarësisht se ndaj tij kishte masë disiplinore.
“Vlerësimi i sjelljes nuk pasqyron masën disiplinore të dhënë për të dënuarin Viktor Ymeraj me datë 23.03.2020, pasi nga data 23.03.2020 deri 23.03.2021 ky i dënuar ka qenë nën efektin e masës disiplinore.
Në tetor të vitit 2018, Muhamed Sallahi ekzekutoi brutalisht me thikë 30-vjeçarin Holti Hajdari. Në burg, ky shtetas ishte shfaqur problematik dhe kishte marrë masë disiplinore, por kjo nuk e pengoi të përfitonte ulje dënimi. Madje, nga burgu kishte marrë dokument për sjellje të mirë që e paraqiti në gjykatë.
“IEVP Fier ka dërguar në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier, vlerësimin e sjelljes nr.603 datë 03.06.2021 duke mos pasqyruar masën disiplinore të marrë nga i dënuari Muhamed Sallahi si pasojë, ka sjellë përfitimin e padrejtë të 90 ditë ulje dënimi të cilat jepen si shpërblim për sjellje të mirë. IEVP Fier ka paraqitur fakte dhe rrethana të rreme për këtë rast”.
Për ironi të fatit, është zbuluar se mes personave që përfituan padrejtësisht ulje dënimi është edhe Maksim Sota, i cili u arrestua në kuadër të dosjes së bujshme “Shpirti” për favorizimin e trafikantëve të drogës. Në investigimin e realizuar nga Inside Story, zbardhej skema e plotë që përfshinte edhe të tjerë njerëz të ligjit. Sota përfitoi nga raportet e rreme 90 ditë ulje dënimi.
“Nga analizimi i dhënies së Masës Disiplinore dhe Vlerësimit të Sjelljes të cituara më lartë, rezulton se, kemi të bëjmë me pasqyrimin e rrethanave të rreme në gjykatë nga punonjësi që ka përfaqësuar IEVP Fier duke u shprehur me pranim e kërkesës për ulje dënimi”.
Në listën e gjatë të personazheve që përfituan nga raportet e rreme ishin edhe disa kultivues apo trafikantë droge. Mes tyre, edhe shtetasi Sokol Burhamaj, i identifikuar në vitin 2015 si kreu i një grupi që trafikonte drogë në Itali me avionë të vegjël. Hapësirat ligjore për ulje dënimi i kishte shfrytëzuar edhe një prej personazheve të arrestuar në kuadër të operacioneve anti-drogë “Tempulli”. Grupe të cilat shpërndanin edhe nëpër shkolla. I dënuari që përfitoi ishte Bebeto Basha.
Top Channel