Rumania ngre alarmin për sulmet/ Qëllohet me dron anija që transportonte gaz në kufi me Ukrainën, evakuohet gjithë fshati
Alice dhe Ellen Kessler, binjaket ikonike të botës së argëtimit, kanë ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.
Mediat gjermane raportojnë se dy motrat e famshme, të lindura më 20 gusht 1936 në Saksoni, kanë zgjedhur eutanazinë e asistuar, proces i lejuar në Gjermani vetëm në kushte të veçanta.
Të njohura në Itali dhe në gjithë Europën si këngëtare, valltare dhe artiste shumëplanëshe, Kessler u bënë të famshme që në vitin 1959, duke fituar pseudonimin “këmbët e kombit” falë paraqitjes së tyre të paharrueshme në skenë. Sipas “Bild”, motrat kishin shprehur prej kohësh dëshirën për të qenë “të pandashme edhe në vdekje”. Ato do të varrosen së bashku, në një urnë të vetme, pranë hirit të nënës së tyre, Elsa, dhe qenit të tyre, Yello.
“Bild” raporton se të hënën rreth mesditës një patrullë policie mbërriti në banesën e motrave Kessler. Oficerët e njësisë së specializuar K12 kryen ekzaminimin paraprak dhe konfirmuan vdekjen e tyre, duke përjashtuar elementet e një krimi.
Alice dhe Ellen Kessler kishin folur publikisht për eutanazinë në vitin 2012, duke deklaruar se nëse njëra prej tyre do të ishte në gjendje vegjetative, tjetra do ta ndihmonte për të mos vuajtur. Ligji gjerman kërkon që personi të veprojë vetë, me vullnet të lirë dhe në plotësinë e aftësive mendore, ndërsa “eutanazia aktive” mbetet e ndaluar.
Karriera e tyre njohu kulmin në Itali pas zhvendosjes në vitin 1961. Paraqitjet në programet “Giardino d’inverno” dhe më pas në “Studio Uno”, me këngën e famshme “Da-da-un-pa”, i shndërruan binjaket në një fenomen kulturor të viteve ‘60.
Në vitin 2006, dy motrat vendosën të dhuronin të gjithë pasurinë e tyre organizatës humanitare “Mjekët pa Kufij”, duke thënë: “Ka kaq shumë njerëz në botë që kanë nevojë për donacione”.
Vdekja e Alice dhe Ellen Kessler shënon fundin e epokës së dy prej ikonave më të mëdha të skenës europiane.
Top Channel