“PDK-së i duhet një energji e re”, Memli Krasniqi reagon pas dorëzimit të mandatit: Po dorëhiqem, partinë po e lë më të fortë sesa e gjeta

17/11/2025 17:45

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kryetari i ri PDK-së duhet të jetë edhe kandidati i ardhshëm për kryeministër.

Ai para delegatëve në Konventën e Jashtëzakonshme të PDK-së tha se ka dhënë dorëheqje prej postit të kryetarit të partisë për ta krijuar një momentum të ri në PDK për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke deklaruar se se PDK-së i duhet një energji e re.

“Kosovës i duhet PDK-ja dhe i duhet secili prej jush, çdo anëtar i devotshëm i familjes sonë politike. Lidershipi nuk matet me sa gjatë mban një pozicion, por me momentin kur di ta lëshosh atë…E dorëzoj postin sepse, pas gati 1600 ditësh, besoj se PDK-së i duhet një momentum i ri dhe një kapitull i ri, derisa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Po e bëj këtë hap sepse besoj thellë se PDK ka nevojë për një energji të re dhe se ka nevojë që kryetari i saj të jetë edhe kandidati ynë për kryeministër në të ardhmen. Po e bëj këtë nga përgjegjësia që ndjej dhe jo sepse shtëpia jonë është e thyer. Po dorë-hiqem, sepse PDK-në po e lë më të fortë sesa e gjeta”, tha ai.

Krasniqi i bëri thirrje të gjithë ish-anëtarëve të PDK-së që të kthehen në parti dhe t’i lënë pakënaqësitë anash.

“Andaj dua të them qartë se kryetari i ardhshëm do ta ketë mbështetjen time të plotë. Ai duhet ta ketë mbështetjen tuaj të plotë dhe të secilit aktivist dhe çdo dege. Pakënaqësitë dhe hatër mbetjet le t’i takojnë së kaluarës, ndërsa uniteti të jetë i së ardhmes. Me kryetarin e ri, PDK do të ecë drejt fitoreve të reja, sepse PDK-ja e bashkuar është PDK e pandalshme. Kjo parti po përgatit një udhëheqje për të ardhmen në nivel nacional. Sot, nga kjo foltore, dua t’ju bëj një thirrje të gjithëve: ejani dhe bashkohuni në familjen tonë politike”, tha ai.

Pas përfundimit të fjalimit të Krasniqit e mori fjalën Xhavit Haliti, i cili kërkoi nga delegatët ta miratojnë dorëheqjen e Krasniqit.

Pas kësaj, me shumicë votash delegatët miratuan dorëheqjen e tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta