Policia e Kosovës i hodhi poshtë me forcë raportimet e mediave serbe, sipas të cilave një “grup i armatosur shqiptarësh” ka qëlluar drejt pjesëtarëve të Ushtrisë serbe, pranë bazës ushtarake “Debella Gllava”, e cila ndodhet në komunën e Bujanocit të banuar me shqiptarë në jug të Serbisë.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar për këtë rast, policia që i quajti të tilla pretendime dezinformata krejtësisht të pabaza, theksoi se pas verifikimit të të dhënave operative, raporteve nga terreni dhe koordinimit me institucionet kompetente, rezulton se në fakt, nuk është regjistruar asnjë rast i shtënies me armë drejt pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë. Ajo sqaron më tej se situata në zonën kufitare “ka qenë dhe mbetet e qetë dhe nën kontroll të plotë”, ndërsa bëri të ditur se dje ka arrestuar katër shtetas të Serbisë – gjuetarë – për kalim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje. Armët dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në komisariat.
Kombësia e tyre nuk është bërë publike. Disa media në Serbi, përfshirë shërbimin publik – Radio Televizionin e Serbisë – raportuan të dielën mbrëma se një grup “shqiptarësh të maskuar” ka sulmuar pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në rajonin e bazës “Debella Glava”, pranë kufirit me Kosovën. Ata theksonin se sulmuesit “u larguan me gjashtë xhipa drejt Kosovës”, por nuk paraqitën asnjë provë për këtë pretendim.
Nga KFOR-i, që kontrollon zonën kufitare me Serbinë, për momentin, nuk ka asnjë përgjigje.
Top Channel