Kapen detonatorë në veri të Kosovës/ Sekuestrohen pajisjet për shpërthim, reagon ministri Sveçla: Serbia po përgatitet për sulme

16/11/2025 15:25

Duke reaguar pas njoftimeve se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, kishin gjetur 10 detonatorë me fitila në afërsi të fshatit Gnjezhdan të Leposavicit, ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se “Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës”.

“Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e institucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve. Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë…”, u shpreh Sveçla FB.

Përmes raportit 24 orësh, Policia sqaroi se ka nisur hetimet për detonatorët e gjetur në Leposavic dhe se për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i tensionuar që nga 24 shtatori i vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke e vrarë një efektiv.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçic, ish nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ndërkohë, disa ditë më parë po në Leposavic e plagos e u rrëmbyer një serb i Kosovës, çka nxiti reagimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se “qytetari në fjalë është kundërshtar i politikave dhe i regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç”.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta