Lufta e Trump ndaj karteleve venezuelase, Presidenti: E kam marrë vendimin për hapat e mëtejshëm që do ndiqen nga ushtria

15/11/2025 12:15

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se kishte marrë vendimin e tij për hapat e mëtejshëm drejt Venezuelës, por nuk dha detaje.

Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha vetëm: “Nuk mund t’ju them se çfarë do të jetë, por në një farë mënyre e kam vendosur.” Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kishin bërë “shumë përparim” në ndërprerjen e trafikut të drogës nga Venezuela.

Ndërkohë, Uashington Post raportoi, duke cituar njerëz të njohur me çështjen, se forcat amerikane në rajon po presin urdhra të mundshëm për të sulmuar, pas ditësh diskutimesh të nivelit të lartë nëse dhe si mund të kryhet një sulm ndaj Venezuelës.

Presidenti amerikan theksoi se vendi i tij po sheh rezultate në operacionet e tij kundër drogës, por vuri në dukje se problemet mbeten në vendet fqinje. “Kemi një problem me Meksikën. Kemi një problem me Kolumbinë”, tha ai, duke shtuar se flukset e drogës “kanë rënë ndjeshëm”.

Në të njëjtën kohë, forcat e armatosura amerikane kanë kryer sulme vdekjeprurëse në dy muajt e fundit në të paktën 21 anije që, sipas Uashingtonit, po transportonin drogë nga Amerika e Jugut në SHBA. Pavarësisht këtyre njoftimeve, qeveria nuk ka paraqitur prova që lidhin anijet me trafikun e drogës. Sipas raportimeve, sulmet kanë çuar në vdekjen e rreth 80 personave.

Në Venezuelë, qeveria ka mobilizuar njësi ushtarake dhe milici në të gjithë vendin, në përgjigje të sulmeve të nisura nga SHBA-të në rajonin detar të Karaibeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta