“Claudia” po godet Anglinë, stuhia se fortë shkakton dëme: Jemi keq, mos ejani këtu
Një grua 31-vjeçare me origjinë moldave, Axenia Manoli, është gjetur pa shenja jete në një zonë pyjore në Cave, pranë Romës.
Gruaja rezultonte e zhdukur që nga e enjtja, pasi kishte shoqëruar fëmijët e saj 7 dhe 11 vjeç në shkollë. Trupi i saj u lokalizua të premten, rreth 200 metra larg makinës së parkuar.
Sipas raportimit të Il Messaggero, komuniteti lokal shpreh dyshime mbi versionin fillestar të ngjarjes, ndërsa hetimet janë duke vazhduar në disa pista. Ndërkohë, mediat italiane bëjnë të ditur se autoritetet po analizojnë edhe një letër që, sipas të afërmve, 31-vjeçarja mund të ketë lënë në banesë para zhdukjes.
Manoli ishte shpërngulur në Cave dy vite më parë, pasi kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë. Ajo jetonte me fëmijët dhe partnerin e ri, në një zonë jo shumë larg vendit ku u gjet pa jetë.
Alarmi për zhdukjen u dha pikërisht nga partneri i saj, i cili u drejtua te karabinierët kur gruaja nuk u kthye në shtëpi. Hetimet u intensifikuan me ndihmën e GPS-it të automjetit, që çoi fillimisht në gjetjen e makinës dhe më pas në zbulimin e trupit.
Sa i përket letrës së raportuar, partneri i 31-vjeçares ka deklaruar se aty ajo shprehej e shqetësuar për familjen, por sipas burimeve të Il Messaggero, teksti nuk përmbante deklarime që të drejtonin qartë drejt ndonjë motivi të vetëdëmshëm.
Prokuroria e Tivolit dhe karabinierët po mbledhin të gjitha provat e mundshme, ndërsa hetimi mbetet i hapur dhe asnjë pistë nuk përjashtohet.
Top Channel