Katër ditë para se të përfundojë afati kushtetues për formimin të qeverisë së re nga Glauk Konjufca, mediat në Prishtinë thonë se i mandatuari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk e ka siguruar shumicën e nevojshme në parlament.
Nga PDK, LDK dhe AAK nuk ka sinjale se mund ta votojnë Konjufcën për kryetar të ekzekutivit të ri.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj thotë: “S’ka votë për Lëvizjen Vetëvendosje. LDK ka paraqitur një zgjidhje të ngërçit politik që u refuzua që në prill të këtij viti. Tani ne jemi të bindur dhe besojmë se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja…. Ne presim që kjo punë të shkojë deri në ditën e fundit të afatit, të thirret seanca për krijimin e qeverisë dhe të ketë një show politik. Për ne s’ka votë pasi s’ka të vijë ajo votë pas deklaratave të të gjithë partive politike”.
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, i tha KosovaPress, se eksponentë të ndryshëm të LVV-së kanë tentuar të kërkojnë votë për Konjufcën, por partia e tij nuk ndryshon qëndrim: “Nuk do të ketë votë për Glauk Konjufcën. Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar për të ndërtuar qeveri sepse që nga seanca e parë kur ishte për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe deri në ditën e sotme, LVV dhe Kurti nuk kanë qenë të interesuar për të ndërtuar institucionet… Kanë provuar individë të caktuar me lobu dhe me lyp votë për Glauk Konjufcën, por sidoqoftë AAK-ja nuk ka votë për Glauk Konjufcën. E vetmja zgjidhje për të dalë nga ky ngërç do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe presim nga presidentja t’i shpallë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Këto deklarata të partive opozitare, e shtyjnë analistin politik, Albinot Maloku, të shprehet skeptik se Konjufca do t’i sigurojë votat për ta formuar qeverinë e re: “Nuk ka asnjë indikacion që na lë me besu se mund të ketë një votim për këtë qeveri, qofte për arsye të ndryshme. Nuk kemi të bëjmë me një qeveri teknike pasi prapë është një qeveri politike. Qeveria teknike ka një përmbajtje dhe kuptim tjetër. Nuk e shoh që ky proces zgjedhor i nivelit lokal mund t’i japë ndonjë efekt real të mundësisë së ecjes përpara të sukseseve që mund t’i pretendojë zotëri Konjufca si i mandatuar për kryeministër”.
Nëntë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk i ka krijuar institucionet e reja, çka po rrezikon edhe buxhetin e vitit 2026.
Top Channel