SHBA i shet avionë Tajvanit, edhe pse njeh Pekinin, Uashingtoni është mbështetësi kryesor ushtarak i ishullit që rrezikohet nga Kina

14/11/2025 13:34

Shtetet e Bashkuara miratuan shitjen e avionëve luftarakë dhe pjesëve të tjera të avionëve ndaj Tajvanit.

Transaksioni prej 330 milionë dollarësh është i pari që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën në janar, duke marrë falënderime nga Taipei, e nga Pekini zemërim.

“Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e marrësit për t’u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme duke ruajtur gatishmërinë operacionale të flotës së tij të avionëve F-16, C-130 dhe avionëve të tjerë”, tha Pentagoni në një deklaratë.

Sipas Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes marrëveshja parashikon furnizimin me pjesë dhe materiale riparimi për avionët F-16, transportuesit C-130, si dhe për avionët e prodhuar në Tajvan. Paketa përfshin gjithashtu shërbime teknike dhe mbështetje logjistike.

“Shitja e propozuar është në përputhje me ligjin dhe politikën e SHBA-së”, thekson DSCA në deklaratën e saj zyrtare. Edhe pse Uashingtoni zyrtarisht njeh Pekinin dhe jo Tajvanin, SHBA mbetet mbështetësi kryesor i ishullit në aspektin diplomatik dhe njëkohësisht furnizuesi më i madh i pajisjeve të tij ushtarake, një pikë e nxehtë në marrëdhëniet amerikano-kineze, të cilat vazhdojnë të tensionohen për çështjen e Tajvanit.

Para takimit të tij me Presidentin kinez Xi Jinping në fund të tetorit, Trump theksoi se “Tajvani është Tajvan” duke shtuar se gëzonte respekt të madh për ishullin.

Për Taipein, shitja e armëve është një mesazh i qartë mbështetjeje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Tajvanin.

 

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta