Publikimi i letrave të Epstein/ Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve shtyn përpara nismën e dy deputetëve amerikanë

14/11/2025 15:14

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka vendosur të përshpejtojë votimin për projektligjin që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha dosjet e çështjes Jeffrey Epstein, pasi u bë e qartë se procesi nuk mund të ndalej më.

Tre burime të CNN konfirmojnë se ky është një ndryshim i papritur në strategjinë e Johnson dhe Shtëpisë së Bardhë, të cilët më herët kishin kërkuar shtyrje. Udhëheqja republikane në Kongres po përgatitet për një “shkëputje masive” të deputetëve që pritet t’i bashkohen nismës bipartizane të përgatitur nga republikan Thomas Massie dhe demokrati Ro Khanna.

Të dy po kërkojnë një shumicë të cilësuar, të aftë për t’i bërë presion Senatit dhe Donald Trump-it, i cili kundërshton publikimin e plotë të dosjeve. Një shumicë e tillë kërkon 290 vota, pra dy të tretat e Dhomës. Sipas burimeve republikane, baza e mbështetjes është e gjerë dhe “e pamundur të kufizohet”. Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Trump ishte informuar paraprakisht për vendimin e Johnson dhe se e kishte pranuar si një realitet të pashmangshëm.

Ndërkohë, Johnson më herët kishte mbyllur Kongresin para kohe për pushimet e gushtit pikërisht për të shmangur këtë votim. Sapo deputetët u rikthyen, u bë e qartë se valën politike nuk mund ta frenoje më askush. Një përpjekje e minutës së fundit u tentua të mërkurën nga Trump dhe aleatët e tij për të bindur dy kongresmene republikane të tërhiqeshin, por pa sukses. “Nëse s’e ndalon dot paradën, dil përpara saj,” tha Khanna për CNN.

Vendimi i shpejtë i Kryetarit të Dhomës erdhi menjëherë pasi komisioni i Mbikëqyrjes publikoi mijëra email-e të reja të lidhura me çështjen Epstein. Po atë ditë, zyrtarë të administratës Trump u takuan me Lauren Boebert, një nga republikanet që ka kërkuar publikim të plotë. Edhe pse pritet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve, nuk ka garanci se Senati do ta votojë.

Kreu i shumicës, John Thune, ka deklaruar më parë për CNN se sipas tij s’ka nevojë për këtë ligj. Megjithatë, nëse Massie dhe Khanna arrijnë një shumicë të cilësuar në Dhoma, presioni politik do të rritet ndjeshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta