Pas sulmit në portin rus të Novorossiysk, çmimet e naftës rriten me më shumë se 2%
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka konfirmuar se do të hetojë lidhjet e dyshuara të financuesit Jeffrey Epstein me banka të mëdha dhe disa demokratë të njohur, përfshirë ish-Presidentin Bill Clinton.
Presidenti Donald Trump tha të premten se do t’i kërkonte Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi dhe FBI-së të hetonin “përfshirjen dhe marrëdhënien” e Epstein me Clinton dhe të tjerët.
Bondi më pas tha në mediat sociale se i kërkoi Prokurorit të SHBA-së, Jay Clayton, të drejtonte një hetim, duke shtuar se departamenti “do ta ndjekë këtë me urgjencë dhe integritet për t’i dhënë përgjigje popullit amerikan”.
Klinton ka mohuar se kishte ndonjë dijeni për krimet e Epstein. Interesi për marrëdhëniet e Epstein u ringjall këtë javë pasi ligjvënësit amerikanë publikuan më shumë se 20,000 faqe dokumentesh nga pasuria e tij, duke përfshirë disa që përmendin Trumpin.
Përveç Clinton, Trump tha se i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të hetojë bankat JP Morgan dhe Chase, ish-Sekretarin e Thesarit Larry Summers dhe themeluesin e LinkedIn Reid Hoffman, i cili është gjithashtu një donator i njohur demokrat.
“Epstein ishte demokrat dhe ai është problemi i demokratëve, jo problemi i republikanëve. Të gjithë e dinë për të, mos e humbni kohën me Trumpin. Kam një vend për të drejtuar”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Një zëdhënës i JPMorgan Chase tha se firma shpreh keqardhje për “çdo lidhje” që kishin me Epsteinin dhe shtoi se firma “nuk e ndihmoi atë të kryente aktet e tij të tmerrshme”.
Nuk është e qartë nëse Trump bëri një kërkesë zyrtare apo lëshoi një direktivë drejtuar departamentit të drejtësisë, apo nëse Bondi po i përgjigjej postimit të tij në platformën e tij Truth Social.
Kërkesa e Trump vjen përpara votimit të Dhomës së Përfaqësuesve javën e ardhshme nëse departamenti i drejtësisë duhet të publikojë të gjitha dosjet e tij që lidhen me hetimin ndaj Epstein, i akuzuar për pedofili, i cili vdiq në burg në vitin 2019.
Betimi i demokrates Adelita Grijalva para dhomës të mërkurën shkaktoi reagim, pasi ajo menjëherë nënshkroi një peticion shkarkimi nga kërkesa për publikimin e dosjeve.
Firma e saj ishte e 218-ta, firma e fundit e nevojshme për një votim në sallën e votimit. Katër republikanë iu bashkuan demokratëve për të kërkuar votimin. Dokumentet e publikuara nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën duket se tregojnë korrespondencë midis Epstein dhe ish-Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Larry Summers, që nga tetori i vitit 2017.
Top Channel