Maduro i drejtohet amerikanëve: Bashkohuni me Venezuelën për një Amerikë paqësore

14/11/2025 11:04

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, u bëri thirrje qytetarëve të Shteteve të Bashkuara që të bashkohen me Venezuelën për paqen në Amerikë, gjatë një intervistë ekskluzive për CNN-në të mbajtur në mes të një tubimi në Caracas të enjten.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë të tensioneve të rritura me SHBA-në, e cila ka vendosur anije lufte në Karaibe për të ndaluar, sipas tyre, trafikimin e drogës nga Venezuela. Megjithëse Uashingtoni insiston se prania ushtarake synon pengimin e rrjedhës së narkotikëve drejt SHBA-së, Caracas, kryeqyteti i Venezuelës beson se qëllimi real i Amerikës është ndryshimi i regjimit.

Maduro u drejtua drejtpërdrejt ndaj amerikanëve, duke thënë në spanjisht: “Bashkohuni për paqen e Amerikës. Jo më luftëra të pafundme. Jo më luftëra të padrejta. Jo më Libia. Jo më Afganistan.”

Kur u pyet nëse kishte një mesazh për Presidentin amerikan Donald Trump, Maduro u përgjigj në anglisht: “Po, paqe, po paqe.” Ai nuk u shpreh direkt për shqetësimet për një agresion të mundshëm nga SHBA-ja, por theksoi se fokusin e kishte te qeverisja e vendit me paqe.

Maduro mori pjesë në një tubim masiv për të rinjtë e Venezuelës, të cilëve më pas iu bëri thirrje të rezistonin ndaj asaj që ai e përshkroi si kërcënim për invazion nga SHBA-ja.

Gjatë tre muajve të fundit, SHBA-ja ka grumbulluar rreth 15,000 ushtarë në Karaibe, së bashku me më shumë se një duzinë anijesh lufte, përfshirë një aeroplanmbajtëse, e përshkruar si “platforma më e vdekjeprurëse” e Marinës amerikane. Ky mobilizim, konsideruar si prezenca më e madhe ushtarake amerikane në rajon që nga invazioni i Panamasë në 1989, ka nxitur spekulime për një konflikt më të madh të mundshëm.

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë kryer të paktën 20 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor, duke vrarë 80 persona. CNN raporton se administrata Trump po shqyrton planet për të targetuar fabrikat e kokainës dhe rrugët e trafikimit brenda Venezuelës, edhe pse autoritetet kanë thënë se nuk ekziston një bazë ligjore për sulme brenda vendit.

Si përgjigje, Venezuela ka nisur një mobilizim masiv të forcave ushtarake dhe milicive civile, duke kryer stërvitje në të gjithë vendin për t’u përgatitur ndaj çdo kërcënimi të mundshëm nga SHBA-ja.

Forcat e armatosura të Venezuelës, Ushtria Kombëtare Bolivariane, kanë rreth 123,000 anëtarë. Maduro ka pretenduar gjithashtu se milicitë vullnetare tani kanë mbi 8 milionë rezervistë, megjithëse ekspertët e kanë vënë në dyshim këtë numër dhe nivelin e stërvitjes së trupave.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta