Trump nënshkruan paketën e financimit, i jep fund mbylljes rekord 43-ditore të qeverisë federale
BBC po përgatitet t’i kërkojë falje drejtpërdrejt Presidentit Donald Trump për të shmangur kërcënimin e tij me një padi prej 1 miliard dollarësh.
Transmetuesi publik britanik po punon për të dërguar një kërkim-falje personale, pasi pranoi se kishte lënë përshtypjen se Trump kishte bërë një “thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme” në një episod të programit Panorama vitin e kaluar. Më vonë doli në pah se dy pjesë të fjalimit të tij, mbajtur para trazirave në Kapitol më 6 janar 2021, ishin të ndërthurura gabimisht.
Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, deklaroi të mërkurën se “BBC është një makinë propagande e majtë që, për fat të keq, financohet nga taksapaguesit britanikë”. Ajo e quajti episodin “një shembull klasik të lajmeve të rreme” dhe shtoi:
“E shohim këtë në SHBA gjatë gjithë kohës dhe tani edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Këshilltari ligjor i jashtëm i presidentit ka ngritur një padi kundër BBC-së. Nëse do të kërkojnë falje apo jo, kjo varet prej tyre.”
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, i tha ministrave të hënën se “BBC-ja do të donte të kërkonte falje për atë gabim gjykimi”. Një burim pranë transmetuesit bëri të ditur se pritet që ky mesazh t’i përcillet personalisht Trumpit, i cili i ka dhënë BBC-së afat deri nesër për t’iu përgjigjur letrës ligjore që përmend “dëmin dërrmues financiar dhe të reputacionit” të shkaktuar nga programi.
Shah njoftoi gjithashtu se ka nisur një kërkim të plotë për pasardhësin e Tim Davie, drejtorit të përgjithshëm që dha dorëheqjen pas incidentit. Ai tha se bordi i BBC-së po punon “24 orë në ditë, 7 ditë në javë” për të gjetur drejtuesin e duhur që do të ndihmojë korporatën të përballojë një nga krizat më të mëdha në vitet e fundit.
Zyrtarë të lartë të BBC-së thanë se procesi i emërimit të drejtorit të ri mund të zgjasë me muaj dhe se kandidati i ri mund të fillojë punën në shtator, nëse zgjidhet dikush nga jashtë. Shah i përshkroi sfidat e postit si “të mëdha”, duke shtuar:
“Pse do ta pranonte dikush me reputacion të madh këtë punë, nëse përballet me sulme të tilla? Po kërkojmë shumë nga drejtori ynë i përgjithshëm.”
Në një mbledhje të bordit të hënën, anëtarët joekzekutivë ranë dakord se zgjedhja e CEO-së së re është “vendimi më i rëndësishëm” për BBC-në. Burime të brendshme thanë se kandidatët me përvojë në gazetari do të kishin avantazh, megjithëse të tjerë theksuan se roli i drejtuesit të përgjithshëm duhet të përfshijë gjithë korporatën, jo vetëm sektorin e lajmeve.
Shumica e kandidatëve të favorizuar janë gra — dhe nëse njëra prej tyre do të zgjidhet, do të jetë gruaja e parë në 103 vjet histori të BBC-së. Ndër kandidatët përmenden Jay Hunt (ekzekutive e Apple dhe ish-redaktore e BBC News), Charlotte Moore (ish-drejtoreshë përmbajtjeje e BBC-së), Alexandra Mahon (ish-drejtoreshë e Channel 4), dhe Jane Turton (drejtoreshë ekzekutive e All3Media).
Emra të tjerë të përmendur janë George Osborne, ish-kancelar dhe ish-redaktor i Evening Standard, Carolyn McCall (CEO e ITV), dhe Kevin Bakhurst, aktualisht drejtor i RTÉ në Irlandë.
Dokumente të brendshme tregojnë se BBC ka filluar planifikimin për trashëgiminë e Davie-t që në shtator 2024, por ekspertët vlerësojnë se korporata nuk ka zhvilluar një grup të fortë kandidatësh të brendshëm.
Një analist mediatik komentoi: “Kur je drejtor i përgjithshëm i BBC-së, e di që çdo moment mund të ndodhë diçka që të rrëzon, prandaj duhet të ndërtosh një ekip të fortë për ta pasuar postin. Ata nuk e kanë bërë këtë.”
BBC po shqyrton gjithashtu emërimin e një zëvendësdrejtori të përgjithshëm për të ndarë ngarkesën e drejtimit. Sir Peter Bazalgette, ish-kryetar i ITV, tha se një pozicion i tillë “ndoshta do të ndihmonte”.
Jonathan Munro, zëvendësdrejtor i BBC News, është ndër ata që besohet se kanë sugjeruar nevojën për një figurë të tillë në hierarki.
Top Channel