Ukraina në krizë për ushtarë, kryebashkiaku i Kievit, Vladimir Klitschko: Të ulet mosha e rekrutimit në 22 vjeç

12/11/2025 20:22

Ukraina po përjeton një krizë të thelluar në mobilizimin ushtarak, ndërsa një numër gjithnjë e më i madh burrash po largohet drejt vendeve të Evropës, paralajmëroi kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, në një intervistë për Global Reporter Network.

“Sot përballemi me vështirësi serioze për të plotësuar radhët e ushtrisë”, u shpreh Klitschko, duke theksuar ndikimin e rëndë që ka pasur lufta shumëvjeçare në aftësinë e vendit për të mbushur sërish radhët e forcave të tij pas gati katër vitesh përplasje të pandërprera.

Sipas tij, trupat ruse po avancojnë vazhdimisht.

“Sulmet e tyre duken si një lojë kompjuterike, ata vazhdojnë të vijnë, pa ndaluar dhe pa marrë parasysh humbjet e veta”, tha kryebashkiaku i Kievit.

Klitschko sugjeroi uljen e moshës së rekrutimit nga 25 vjeç që është aktualisht në 23 ose edhe 22 vjeç.

“Në të kaluarën, 18-vjeçarët shërbenin në ushtri, por ata janë fëmijë”, tha ai.

“Tani për tani, në Ukrainë mund të mobilizohesh vetëm nga mosha 25 vjeç. Mund ta ulësh atë moshë me një ose dy vjet në 23 ose 22 vjeç”, shtoi kryebashkiaku.

Klitschko shprehu gjithashtu shqetësim për eksodin në rritje të ukrainasve të rinj. Një dekret qeveritar i lëshuar në gusht që u lejon burrave të moshës 18 deri në 22 vjeç të largohen nga vendi ka përkuar me një rritje të ndjeshme të aplikimeve për mbrojtje të përkohshme në vendet e BE-së.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta