Trump kundër BBC-së/ Cilat janë pengesat për argumentin ligjor të presidentit dhe sa shanse ka për fitore?

12/11/2025 09:53

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të padisë BBC-në për 1 miliard dollarë dëmshpërblim, duke pretenduar se një dokumentar i transmetuesit britanik përmbante “deklarata të rreme dhe shpifëse” për të.

Ekipi ligjor i Trump i ka kërkuar BBC-së të tërheqë publikisht dokumentarin, të kërkojë falje dhe ta kompensojë për dëmin që, sipas tij, i është shkaktuar. Dokumentari “Panorama”, i transmetuar në tetor 2024, u akuzua për redaktim të pjesshëm të një fjalimi të Trump që, sipas një memoje të rrjedhur, e bënte të dukej sikur ai nxit kryengritjen e 6 janarit 2021 në Capitol Hill.

Kreu i BBC-së, Samir Shah, pranoi se transmetimi kishte qenë “një gabim”, ndërsa drejtori i përgjithshëm Tim Davie dha dorëheqje duke e quajtur rastin “shkelje editoriale”.

Megjithatë, ekspertët ligjorë amerikanë thonë se Trump përballet me pengesa të mëdha për ta fituar këtë betejë, për shkak të mbrojtjes së fortë që u jep mediave Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së. Për të fituar, ai duhet të provojë se BBC ka vepruar me “keqdashje të vërtetë” pra, me dijeni të falsitetit ose shpërfillje të qëllimshme të së vërtetës.

Trump ka sinjalizuar se mund ta ngrejë padinë në Florida, ku ligji i lejon afat dyvjeçar, por ekspertët theksojnë se BBC mund të argumentojë mungesën e juridiksionit, pasi dokumentari nuk është transmetuar në SHBA.

Ndërkohë, analistët kujtojnë se presidenti ka ngritur edhe më parë padi të ngjashme kundër mediave amerikane, disa prej të cilave kanë përfunduar me marrëveshje milionëshe, ndërsa të tjera janë rrëzuar në gjykatë.

Është e pamundur që ai të provojë një dëmshpërblim prej një miliard dollarësh”, tha profesoresha Lyrissa Lidskey nga Universiteti i Floridës.

Ekspertët theksojnë se, edhe nëse padi ngrihet, shanset e Trump për fitore janë shumë të vogla, por procesi mund të ketë efekt politik dhe mediatik për presidentin amerikan.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta