Si në një film Mad Max/ Ushtarët rusë hyjnë në qytetin e Pokrovskut, Ukrainë, të mbuluar nga mjegulla

12/11/2025 07:30

Pamje që ngjajnë me skena nga filmi “Mad Max” janë kapur në periferi të qytetit lindor ukrainas të Pokrovskut, ku ushtarë rusë shihen duke përparuar nën mbulesën e një mjegulle të dendur.

Në video, disa prej tyre shihen me motoçikleta, ndërsa të tjerë qëndrojnë mbi çatitë e makinave dhe kamionëve të shkatërruar. Rusia ka deklaruar se forcat e saj kanë avancuar edhe më tej drejt qytetit strategjik të Kupyanskut.
Sipas Korpusit të 7-të Ajror të Ukrainës, kushtet e motit – sidomos mjegulla e dendur – po favorizojnë Moskën, e cila po shton përpjekjet për të dërguar më shumë trupa në Pokrovsk, me qëllim që të rrethojë forcat ukrainase.


Siç raporton BBC, forcat ruse përpiqen të pushtojnë qytetin prej më shumë se një viti. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pranuar se mjegulla po lehtëson lëvizjet e trupave ruse dhe se situata në terren mbetet “jashtëzakonisht e vështirë”.


Sipas mediave britanike, videoja është filmuar në periferi jugore të qytetit, përgjatë autostradës Selindov–Pokrovsk. Korpusi i 7-të pretendon se aktualisht rreth 300 ushtarë rusë ndodhen në Pokrovsk, një shifër e ngjashme me atë që Zelensky raportoi javën e kaluar.
Pas më shumë se një viti luftimesh, Pokrovsk — një nyje hekurudhore dhe qendër e rëndësishme furnizimi në rajonin e Donetskut — është shkatërruar pothuajse plotësisht. Nga popullsia prej 60,000 banorësh para luftës, tani kanë mbetur më pak se 1,300. Ushtarët ukrainas e përshkruajnë situatën si “ferr të vërtetë”, me luftime të pandërprera që e bëjnë këtë zonë një nga fushëbetejat më të përgjakshme të katër viteve të fundit.
Nëse Pokrovsku bie, ai do të ishte qyteti më i madh ukrainas që bie në duart e forcave ruse që nga pushtimi i Bakhmutit në maj 2023. Qyteti shihet si pengesa e fundit e madhe përpara Slovianskut dhe Kramatorskut — dy qendra kryesore të kontrolluara ende nga Ukraina në Donetsk.
Marrja e Pokrovskut do t’i jepte Kremlinit një fitore të madhe propagandistike, duke forcuar narrativën se “ushtria ruse po përparon”, ndërsa do ta vendoste Ukrainën në një pozitë edhe më të vështirë përballë presionit për t’iu bindur kërkesave të Moskës.
Ndërkohë, Kievi po lufton me çdo kusht për ta mbajtur qytetin – jo vetëm për rëndësinë e tij strategjike, por edhe për të kundërshtuar narrativën ruse, sidomos në një moment kur kërkon mbështetje të mëtejshme nga administrata e përçarë e Trumpit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta