Jeffrey Epstein, abuzuesi seksual i dënuar që ndërroi jetë në burg në rrethana që vijojnë të shkaktojnë debat, ka përmendur disa herë presidentin amerikan Donald Trump në komunikime private me Ghislaine Maxwell dhe autorin Michael Wolff, sipas email-eve të sapo publikuara nga demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes të Dhomës së Përfaqësuesve.
Në korrespondencat që datojnë nga 15 vitet e fundit, Epstein shkruan për “kohën që Trump kalonte me një grua” që, sipas demokratëve, është një nga viktimat e trafikut të tij seksual. Në një tjetër email, Epstein pretendon se “Trump e dinte për vajzat”, duke iu referuar dukshëm pretendimeve të presidentit se e kishte përjashtuar Epstein-in nga klubi Mar-a-Lago “për shkak të sjelljes ndaj vajzave të reja”.
Email-et u publikuan të mërkurën, pasi komiteti kishte kërkuar me urdhër gjykate dokumentet nga pasuria e Epstein.
Sipas CNN, Trump nuk ka dërguar apo marrë asnjë nga këto mesazhe dhe nuk akuzohet për asnjë vepër penale në lidhje me Epstein apo Maxwell.
Në një email të datës 2 prill 2011, Epstein i shkruante Maxwell-it: “Dua të kuptosh që qeni që s’ka lehur është Trump… (emri i fshirë) ka kaluar orë të tëra në shtëpinë time me të, por nuk është përmendur kurrë. Jam 75% aty.”
Maxwell i përgjigjet: “E kam menduar edhe unë këtë…”
Theksohet se emri i gruas së përmendur është fshehur për arsye privatësie.
Në një komunikim tjetër, nga janari 2019, shtatë muaj para vdekjes së Epstein, ai i shkruan Wolff për pretendimet e Trump se e kishte përjashtuar nga Mar-a-Lago: “Trump tha që më kërkoi të dorëzoja anëtarësimin, por s’kam qenë kurrë anëtar. Sigurisht që ai e dinte për vajzat, madje i kërkoi Ghislaine-s të ndalonte.”
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar më parë se Trump e kishte ndaluar Epstein-in nga klubi për “sjellje të papërshtatshme”, ndërsa Maxwell ka mohuar që të ketë rekrutuar vajza nga Mar-a-Lago.
Në një tjetër email të zbuluar nga komiteti, datë 15 dhjetor 2015, Wolff i shkruante Epstein: “Kam dëgjuar që CNN planifikon t’i bëjë Trump-it një pyetje për marrëdhënien me ty sonte në debat.”
Epstein i përgjigjet: “Nëse do ta ndihmojmë të formulojë një përgjigje, çfarë mendon se duhet të jetë ajo?”
Wolff kthehet: “Mendoj se duhet ta lejosh të varë veten me fjalët e veta… nëse gënjen, mund ta përdorësh kundër tij; nëse fiton, mund ta ‘shpëtosh’ dhe të krijosh një borxh.”
Këto publikime vijnë mes presionit të ri politik në Washington për të zbardhur të gjitha dosjet federale që lidhen me Epstein. Ndërkohë, demokratët e Komitetit të Mbikëqyrjes kanë njoftuar se kanë marrë mbi 23,000 dokumente nga pasuria e tij, ndërsa Kongresi po përgatitet të votojë për publikimin e plotë të materialeve të tjera sekrete.
Top Channel