“Posti juaj duhet të zgjidhet nga qytetarët”, Musk kundër Von der Leyen: Demokracia është themeli i lirisë

12/11/2025 21:35

Elon Musk ka komentuar  gjendjen e demokracisë evropiane duke vënë në dyshim legjitimitetin demokratik të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Më një postim në platformën X, miliarderi dhe drejtuesi i Tesla dhe SpaceX shkroi se demokracia është themeli i lirisë dhe se sipas tij posti i Leyen duhet të zgjidhet drejtëdrejt nga qytetarët.

“Nëse demokracia është themeli i lirisë, atëherë sigurisht që posti juaj si lidere e BE-së duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, nëse Europa dëshiron të mbrojë demokracinë e saj”, ka shkruar Musk në X.

Reagimi i tij erdhi pasi von der Leyen prezantoi iniciativën e re të BE-së “Democracy Shield”, një strategji që synon mbrojtjen nga ndërhyrjet e huaja në internet dhe në proceset zgjedhore.

“Demokracia është themeli i lirisë sonë, i mirëqenies sonë dhe i sigurisë sonë”, kishte shkruar Leyen.

Von der Leyen e prezantoi për herë të parë këtë ide gjatë një fjalimi në Samitin e Demokracisë në Kopenhagë vitin e kaluar, si pjesë e fushatës për mandatin e saj të dytë në krye të Komisionit Europian.

Aktualisht, presidentja e Komisionit nuk zgjidhet nga populli, por propozohet nga Këshilli Europian, ku marrin pjesë 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së dhe miratohet nga Parlamenti Europian për një mandat pesëvjeçar.

Von der Leyen ka arritur të ruajë mbështetjen politike, pavarësisht tre mocioneve për rrëzim të paraqitura kundër saj gjatë këtij viti në Parlamentin Europian.

Në kuadër të strategjisë BE synon të krijojë Qendrën Europiane të Qëndresës Demokratike, që do të ndihmojë shtetet anëtare dhe vendet kandidate në luftën kundër dezinformimit.

Strategjia përfshin gjithashtu rregulla për përdorimin e inteligjencës artificiale në zgjedhje dhe programe edukimi me ndihmën e influencerëve për të sqaruar qytetarët mbi përmbajtjen politike dhe reklamat online.

Musk, i cili ka shprehur shpesh qëndrime provokuese për demokracinë dhe lirinë e shprehjes, ka qenë edhe këshilltar jozyrtar i Donald Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 në SHBA.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta