Debat për “llogaritë” e “Partizanit”, deputetët e opozitës kërkojnë opinion edhe për koncesionin “monopolist të Spitalit Amerikan”

12/11/2025 15:33

Faturat e tenderëve të tunelit të Llogarasë janë ngritur si shqetësim nga opozita edhe në Komisionin e Ekonomisë.

Deputetët e opozitës kërkuan nga Ministria e Financave sesi do të vepronte me një faturë të tillë buxhetore institucioni, ndërsa ministri Malaj i konsideroi këto pyetje hipotetike, duke iu kundërpërgjigjur me aferën e kompleksit Partizani.

“Nëse ju do ishit ministër i Financave, kur u bë tenderimi i tunelit të Llogarasë, sidomos pasi dështoi tenderimi i parë dhe u bë tenderimi i dytë, dhe patë që kishte një diferencë prej dhjetëra milionë eurosh me tenderin e parë, ku normalisht do të ishte po e njëjta kompani që do bënte tenderimin. Çfarë do kishit bërë? A do ju kishte dhënë kjo një sinjal në mendjen tuaj që diçka po ndodhte e paligjshme, apo do kishit vazhduar normalisht me pranimin e asaj fature buxhetore?”, u shpreh deputeti i PD, Besart Xhaferri.

“Këto janë pyetje hipotetike, është njësoj sikur unë t’ju adresoj juve një pyetje, në qoftë se do ishit në pozicionin e personit të kthimit dhe të kompensimit të pronave, çfarë do të bënit me kompleksin Partizani në atë periudhë? Me vendimin që ju erdhi nga qeveria?”, tha Petrit Malaj.

Deputetët e opozitës i kërkuan opinion Ministrisë së Financave edhe për kontratat koncesionare, kryesisht atë të hemodializës, për krijimin e monopolizimit nga Spitali Amerikan i drejtuar nga biznesmeni Klodian Allajbeu.

“Nëse ju do ishit ministër i Financave kur u bënë PPP-të në mjekësi, që nuk është nevoja të ketë provider (monopol) një kompani. Ne të gjithë e dimë që i është dhënë vetëm një kompanie dhe është monopol i qartë. E dimë që vetë pacientët presin në radhë dhe nuk janë të kënaqur nga shërbimi i tyre dhe ke i garantuar që në ato raste ku nuk ka përdorim mjaftueshëm do të paguhen nga buxheti i shtetit. Kjo është krijim i një licence për feudalizëm, sepse janë PPP që janë dhënë me monopol te një provider dhe me heqjen e riskut nga privati te publiku. Juve çfarë do kishit bërë nëse do ishit ministër Financash atëherë?”, tha Xhaferri.

“Për kontratat koncesionare dhe PPP s’kemi bërë asnjë pagesë”, shtoi Malaj.

Tre koncesionet në shëndetësi që marrin miliona euro nga buxheti i shtetit, kontrolli bazë, hemodializa dhe sterilizimi, u mbaron afati së shpejti.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta