Ankimimi i votimit në Gjykatën e Lartë, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Naureda Llagamit

12/11/2025 19:27

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish gjyqtares së KLGJ-së Naureda Llagami, e cila kundërshtoi procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarit Asim Vokshi si anëtar i kësaj gjykate.

“Në datën 12.11.2025 Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkuese Naureda Llagami dhe objekt: Shfuqizimin e vendimit nr. 80-25-3411, datë 13.10.2025 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në këtë gjykatë me një trup tjetër gjykues; ose në mënyrë alternative, nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se ka juridiksion fillestar për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshjeje: Shfuqizimin e vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nr. 2, datë 30.09.2025 për zgjedhjen e z. Asim Vokshi si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Votimit për nxjerrjen e rezultatit të votimit. Kthimin e çështjes Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë për të vendosur shpalljen e zgjedhjes së anëtares së Gjykatës Kushtetuese znj. Naureda Llagami. Pezullimin e vendimit nr. 2, datë 30.09.2025 të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe vendimit nr. 80-25-3411, datë 13.10.2025 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, arriti në përfundimin se:

Gjykata Kushtetuese vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për shqyrtimin e pretendimeve si në lidhje me vendimin gjyqësor sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës, ashtu edhe për verifikimin e zgjedhjes së funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës.

Megjithatë, nisur nga thelbi i pretendimeve të ngritura nga kërkuesja, Gjykata Kushtetuese vlerësoi të vijonte analizën e saj për legjitimimin e kërkueses lidhur me kërkimin për shfuqizimin e vendimit nr2, datë 30.09.2025 të Mbledhjes së Posaçme të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të vendimit të Komisionit të Votimit për nxjerrjen e rezultatit të votimit. Në këtë drejtim, votat e gjyqtarëve u ndanë në lidhje me legjitimimin ratione personae të kërkueses, duke mos u arritur kuorumi i kërkuar nga neni 133, pika 1, i Kushtetutës dhe neni 72, pika 2, i ligjit nr. 8577/2000. Në këto kushte, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000 kërkesa konsiderohet e rrëzuar.

Sipas njërit qëndrim, nga analiza e parashikimeve kushtetuese dhe të ligjit organik të Gjykatës, kërkuesja, në cilësinë e individit, nuk legjitimohet ratione personae t`i drejtohet Gjykatës për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e funksionarit të organeve të parashikuara në Kushtetutë sipas nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës. Kërkuesja si individ mund të vërë në lëvizje gjykimin kushtetues për çdo akt të pushtetit publik, siç janë edhe vendimet që ajo kundërshton, me ankim kushtetues individual sipas nenit 131, pika 1, shkronja “f”, të Kushtetutës. Mirëpo kjo dispozitë për legjitimimin e individit kërkon që akti i pushtetit publik t’i ketë cenuar atij të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta. Në këtë pikëpamje, e drejta për t`u zgjedhur në funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nuk përbën një të drejtë themelore kushtetuese, ndaj kërkuesja nuk legjitimohet ratione personae.

Sipas qëndrimit tjetër, individët që garojnë për funksionet e parashikuara në Kushtetutë legjitimohen t`i drejtohen Gjykatës për kushtetutshmërinë e procesit të zgjedhjes, për sa kohë janë pjesë e atij procesi. Për pasojë, ata justifikojnë interesin e tyre për të kërkuar kontrollin e kushtetutshmërisë sipas nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës, bazuar edhe në nenet 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2 të Kushtetutës”-thuhet në njoftimin e gjykatës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta