Prej muajsh prokuroria e Tiranës i ka pushuar hetimet ndaj historianit Zyhdi Shehi që ndërroi jetë në gusht 2024, pak javë mbas masakrimit të shokut të dhomës Virgjil Vesho, por avokatët e tij kërkojnë që çështja të rihapet.
Në kërkesën e dorëzuar gjyqtarit paraprak avokati Alban Qafa ngre pikëpyetje mbi hetimet dhe si referencë ka akt ekspertizat e mjekësisë ligjore në trupin e 82 vjecarit gjetur i masakruar në shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet.
“Të kryhen hetimet siç duhen kaq kërkojmë”, shprehet Alban Qafa, avokat.
Por prokuroria thotë se nën akuzë duhen dërguar vetëm dy infermiere të cilat dyshohet për veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Kurse Zyhdi Shehi konsiderohet autor i ngjarjes, por ai ndërroi jetë, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Prokuroria shprehet se përderisa autori nuk jeton më ai nuk mund të hetohet shkak ky që solli pushimin e çështjes kundër Shehit. Familja e të dyshuarit si autor ka mbajtur të njëjtin avokat që e mbrojti historianin mbas krimit ndaj duke qëndruar tek provat fillestare, Alban Qafa numëron defektet e këqyrjes së vendngjarjes.
“Thonë e ka goditur me bastun, nuk përputhet me plagën në kokë. Nga ana tjetër bastuni është rrumbullak, i moshuari ka shenjë katrore në ballë”, shton avokati.
Prokuroria vlerëson si bindëse dëshminë konfuze të historianit të njohur që vuante nga demenca, por edhe kamerat e sigurisë që tregojnë lëvizjet në mesnatë në azilin “Ruaje Moshën”. Por të gjitha provat e evidentuara, po përballen me një pistë tjetër nga mbrojtja e të ndjerit. Për paqartësitë në skenën e krimit prokuroria shpjegon se dy infermieret nën akuzë, tentuan ta fshehin ngjarjen duke mos njoftuar policinë por agjencinë funerale duke dëmtuar skenën e krimit.
Top Channel