Sulm me thikë në qendër të Birminghamit, gruaja goditet në qafë, arrestohet autori
Pas takimit me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Viktor Orbán pohoi triumfues përpara gazetarëve se kishte marrë prej kreut të shtetit amerikan premtimin se gazi dhe nafta ruse e përdorur prej vendit të tij, do të përjashtohen për një vit nga sanksionet.
Marrëveshja është një fitore për kryeministrin hungarez, por edhe për vetë Trumpin, duke qenë se Budapesti është i angazhuar për një sërë investimesh në fushën e energjisë në SHBA.
Presidenti amerikan e lavdëroi në mënyrë të përsëritur Orbanin gjatë takimit të tyre, duke lënë kështu mënjanë mosmarrëveshjet mbi fakti që Hungaria vazhdon të blejë naftë prej Moskës, e duke zgjedhur të fokusohej më tepër në ngjashmëritë që kanë axhendat e tyre të politikës së emigracionit.
“Unë mendoj se krerët e tjerë europianë ata duhet ta respektojnë Hungarinë dhe ta respektojnë shumë këtë lider, sepse ai kishte të drejtë për emigracionin. Sepse shikoni se çfarë ndodhi në Europë: atje kanë vërshuar njerëz nga disa vende të cilat nuk i njohim fare”-shprehet Trump.
Hungaria varet nga Rusia për 74% të gazit dhe 86% të naftës së saj, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar të vitit 2024. Por Trump u tregua menjëherë i hapur për t’i lejuar një përjashtim nga sanksionet amerikane për dy kompanitë e mëdha ruse të naftës që hyjnë në fuqi më 21 nëntor, duke argumentuar se Hungaria nuk ka dalje në det e nuk ka porte – prandaj ka vështirësi më të madhe në sigurimin e furnizimeve përmes rrugëve alternative.
Më pas ai kritikoi vendet e tjera europiane pa i përmendur ato, që kanë dalje në det, por vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus. Veç bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe të tregtisë temë e takimit ishte dhe lufta në Ukraine. Trump dhe Urban diskutuan edhe për samitin SHBA-Rusi. Muajin e kaluar Trump njoftoi se do të takohej me Presidentin rus Vladimir Putin në Budapest. Megjithatë takimi u shty pasi Rusia refuzoi një armëpushim.
Top Channel