SHBA bojkoton samitin e G20 në Afrikën e Jugut/ Trump: Nuk do të marrim pjesë për shkak të persekutimit të të bardhëve

08/11/2025 16:25

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në samitin e G20 që do të mbahet këtë muaj në Johannesburg të Afrikës së Jugut.

Arsyeja, sipas tij, janë pretendimet se të bardhët, veçanërisht Afrikanerët (njerëz që rrjedhin nga kolonët holandezë, si dhe nga emigrantët francezë dhe gjermanë), po “persekutohen dhe masakrohen” në vend.

Trump e quajti “turp të madh” faktin që Afrika e Jugut po organizon takimin e liderëve të 20 ekonomive më të mëdha të botës. “Asnjë zyrtar amerikan nuk do të marrë pjesë për sa kohë që këto shkelje të të drejtave të njeriut vazhdojnë,” shkroi ai në platformën e tij Truth Social.

Megjithatë, qeveria e Afrikës së Jugut reagoi ashpër ndaj vendimit të Shtëpisë së Bardhë, duke e quajtur atë “për të ardhur keq” dhe pretendimet për persekutim “të pabazuara në fakte”. Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme theksoi se “karakterizimi i Afrikanerëve si një grup ekskluzivisht i bardhë është i pasaktë historikisht” dhe se “nuk ka prova që kjo komunitet po përballet me ndonjë gjenocid”.

Kjo nuk është hera e parë që Trump akuzon Afrikën e Jugut për diskriminim ndaj të bardhëve. Në maj, gjatë një takimi në Zyrën Ovale me presidentin Cyril Ramaphosa, ai përsëriti të njëjtat pretendime. Administrata e tij ka njohur Afrikanerët si refugjatë, duke pretenduar se “po ndodh një gjenocid”, megjithëse këto akuza janë hedhur poshtë nga gjykatat dhe organizatat ndërkombëtare.

Afrika e Jugut është vendi mikpritës i këtij viti për samitin e G20, ndërsa SHBA pritet ta mbajë presidencën vitin e ardhshëm.

Nëpërmjet deklaratave të saj, qeveria e Pretorias e ka cilësuar vendimin e Uashingtonit si “të pabazuar dhe politikisht të motivuar”, ndërsa ka theksuar se “G20 mbetet një platformë për bashkëpunim global, jo për përçarje ideologjike”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta