Nesër zgjedhjet, nis shpërndarja e bazës materiale në Vlorë Në Spitallë të Durrësit, lagjja e re e ndërtuar për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019 ende nuk është e banueshme.
Edhe pse 85 pallatet e reja u ndërtuan, shumë banorë vazhdojnë të jetojnë me qira. Projekti me 996 apartamente, i financuar nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Qeveria Shqiptare, pritet të strehojë rreth 4 mijë qytetarë. Por për shumë familje, ky premtim i strehimit të ri mbetet ende i parealizuar. Bashkim Gjika, një ndër zërat më aktivë për të drejtat e të prekurve nga tërmeti, endet mes shpresës dhe zhgënjimit.
“Kam ardhur të shoh shtëpinë. Jemi rrugëve. S’kemi lekë të paguajmë qiranë aty ku jemi… Si ndërtesa të mira, po nuk ka ujë, drita. Nuk ka çelësa. Ndajnë nga 10 celësa në ditë.”
Edhe banorët e tjerë ndajnë të njëjtin shqetësim. Shumë prej tyre thonë se kanë vuajtur gjatë, pa bonus qiraje e pa siguri strehimi.
“Boll kemi vuajtur. Kemi 3 vjet që nuk marrim as bonus, asgjë. Shyqyr që morëm çelësat. Duam të jetojmë si gjithë njerëzit.”, shprehet një tjetër.
Ndërkohë, Gjika shprehet i shqetësuar për ambientet përreth, mungesën e dritave dhe ujit, si dhe atë që sheh sa herë që vjen këtu për të gjetur banesën e tij te ardhshme: “Shihi merimangat, kudo. Ne flejmë në rrugë, këto rrinë bosh. Ato aprovojnë fonde, i marrin lekët e i humbin rrugës.”
Nga Bashkia e Durrësit bëjnë me dije se po vijon shpërndarja e çelësave dhe se deri tani ato u janë dhënë mbi 400 familjeve, të cilat më pas vijojnë procedurat për kontratat individuale me OSHEE-në dhe Ujësjellës Kanalizimet. Megjithatë, ata që ende presin kërkojnë që procesi të përshpejtohet. Për ta, strehimi nuk është më një premtim, por një e drejtë e vonuar.
Top Channel