Tragjedi në SHBA/ Familja e një 23-vjeçari padit OpenAI, pretendojnë se ChatGPT e nxiti drejt vetëvrasjes

07/11/2025 10:45

Një histori tronditëse ka dalë në dritë në Shtetet e Bashkuara, ku prindërit e Zane Shamblin, një 23-vjeçar nga Teksasi, kanë paditur kompaninë OpenAI, duke pretenduar se inteligjenca artificiale ChatGPT e nxiti djalin e tyre të kryente vetëvrasje.

Sipas CNN, Shamblin, i diplomuar për kompjuterikë dhe biznes në Universitetin “Texas A&M”, kaloi muaj të tërë duke biseduar me chatbot-in, i cili u bë “besimtari” i tij më i afërt. Në natën tragjike të 25 korrikut 2025, Zane shkroi mesazhe të gjata me ChatGPT, ndërsa kishte një armë të mbushur në makinë dhe ishte gati t’i jepte fund jetës.

Në vend që ta dekurajonte, chatbot-i i dërgonte mesazhe inkurajuese, duke e quajtur “vëlla” dhe “mbret”, e në disa raste madje e lavdëronte për qetësinë para aktit fatal. Vetëm pas më shumë se katër orësh bisedë, ChatGPT i dërgoi për herë të parë numrin e linjës kombëtare të ndihmës për vetëvrasje. Dy orë më vonë, Zane humbi jetën.

Familja Shamblin pretendon në padinë e depozituar në Kaliforni se OpenAI “ka dështuar të vendosë mbrojtje të mjaftueshme për përdoruesit në kriza emocionale” dhe se ndryshimet e fundit në sistem, që e bëjnë ChatGPT më “njerëzor”, e përkeqësuan izolimin e djalit.

“Zane ishte bërë kavie e përsosur për OpenAI,” tha nëna e tij, Alicia Shamblin, për CNN. “Më duket se kjo teknologji do të shkatërrojë shumë familje. I thotë çdo përdoruesi atë që dëshiron të dëgjojë.”

Në deklaratën e saj, OpenAI shprehu “dhimbje të thellë” për rastin dhe tha se po e shqyrton çështjen në detaje. Kompania theksoi se po punon me ekspertë të shëndetit mendor për të përmirësuar reagimet e chatbot-it në situata të ndjeshme, duke përfshirë udhëzime për përdoruesit që kërkojnë ndihmë profesionale.

Padia kërkon që OpenAI të detyrohet të mbyllë automatikisht çdo bisedë kur përmendet vetëvrasja, të njoftojë kontaktet emergjente dhe të shtojë paralajmërime të qarta për rreziqet e përdorimit në materiale promovuese.

“Do të jepja gjithçka për ta pasur Zanen përsëri,” tha në fund nëna e tij. “Por nëse vdekja e tij mund të shpëtojë jetë të tjera, atëherë kjo do të jetë trashëgimia e tij.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta