Përçarje në politikën ruse, Putin fut nën “hije” ministrin e Jashtëm pas tensioneve me administratën e Trump

07/11/2025 11:49

Presidenti rus Vladimir Putin raportohet se ka larguar nga skena politike ministrin e tij të përhershëm të Jashtëm, Sergei Lavrov, pas një përplasjeje diplomatike që mendohet se ka acaruar administratën e Presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas burimeve të Moscow Times, Lavrov nuk është parë në publik prej disa ditësh dhe është përjashtuar nga disa samite dhe takime të rëndësishme shtetërore, çka ka ushqyer dyshimet për largimin e e një prej figurave më të vjetra të diplomacisë ruse.

Raportet tregojnë se një telefonatë e zhvilluar në shtator midis Lavrov dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ka qenë “katastrofike”, duke çuar në anulimin e një takimi të planifikuar midis Putin dhe Trump. Ky zhvillim thuhet se ka zemëruar presidentin rus, i cili po kërkonte më shumë mbështetje nga Uashingtoni.

Pas incidentit diplomatik, SHBA vendosi një raund të ri sanksionesh të ashpra ndaj Rusisë, të cilat kishin për qëllim ta shtynin Kremlinin drejt bisedimeve për paqe në Ukrainë. Brenda rrethit të brendshëm të pushtetit rus, disa zyrtarë kanë akuzuar Lavrovin për “sabotim” dhe “refuzim për të ndjekur linjën e Putinit”.

Lavrov, që ka shërbyer si ministër i Jashtëm për 21 vjet, nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, dhe është zëvendësuar në krye të delegacionit rus në samitin e G20 në Afrikën e Jugut. Burime nga kanali Telegram Nezygar thanë se diplomati “duket i dëshpëruar” dhe “ka humbur plotësisht mbështetjen e Putinit”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka mohuar zërat për një përçarje mes dyshes, duke thënë se “këto pretendime nuk përputhen me realitetin” dhe se Lavrov “vazhdon të ushtrojë detyrat e tij si ministër i Jashtëm”.

Këto raportime vijnë ndërkohë që Ukraina ka ndërmarrë një sërë sulmesh me dronë në thellësi të territorit rus — përfshirë një fabrikë industriale rreth 800 milje brenda Rusisë — ndërsa ushtria ukrainase vijon betejat e ashpra për mbrojtjen e qytetit strategjik Pokrovsk, në rajonin lindor të Donetskut.

Sipas analistëve, situata aktuale ka ekspozuar tensionet e brendshme në Kremlinin e Putinit, në një kohë kur Rusia përballet me presion të madh ndërkombëtar dhe sfida të mëdha në frontin ukrainas.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta