Materialet zgjedhore mbërrijnë në Mat, gjithçka gati për zgjedhjet e së dielës

07/11/2025 17:08

Kanë mbërritur këtë të premte materialet zgjedhore në Bashkinë e Matit e cila do t’i nënshtrohet zgjedhjeve të parakohshme këtë të dielë.

Kutitë me materialet e ditës së zgjedhjeve mbërritën në KZAZ 16 nën masa të rrepta sigurie nga automjeti i forcave të armstosura, shoqëruar nga automjete të policisë së shtetit.

Materialet do të adminstrohen nga komisionerët e Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor 16 dhe gjatë ditës së shtunë do të shpërndahen në 47 qendrat e votimit që ka Bashkia e Matit.

Bashkia Mat vjen në këto zgjedhje të pjesshme pasi ish Kryebashkiaku Agron Malaj u zgjodh deputet i kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Në garën e së dielës për kreun e ri të Bashkisë Mat janë tre kandidat. Ekonomisti Altin Bojni nga Partia Socialiste, avokati Eduart Brahilika i pavarur (mbështetet nga opozita) dhe avokatja Suzana Pasha e pavarur (ish kryetare e forumit të gruas socialiste).

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Bashkinë Mat ishin 26,700 qytetar me të drejtë vote, ndërsa morën pjesë në votim rreth 13,000 qytetar.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale të 2023, në Bashkinë Mat kishin të drejtë vote rreth 29,292 qytetar dhe kanë votuar rreth 13,000.

Në të dy zgjedhjet e fundit pjesmarrja në votime në këtë bashki ka qenë në masën e rreth 49%.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta