Pjesëmarrja e baritonit rus në Verona anulohet, akuzohet për mbështetje të Putinit
Zyrtarët e administratës Trump njoftuan se Shtetet e Bashkuara nuk po planifikojnë të nisin sulme brenda Venezuelës dhe se aktualisht nuk ekziston asnjë justifikim ligjor që do të mbështeste një ndërhyrje të tillë.
Ligjvënësve iu bë e ditur se opinioni i hartuar nga Zyra e Këshillit Ligjor të Departamentit të Drejtësisë (OLC), që shërben si bazë për sulmet kundër anijeve të dyshuara për trafik droge, nuk autorizon sulme brenda territorit të Venezuelës apo në ndonjë vend tjetër.
Sipas deklaratave edhe urdhri ekzekutiv që nisi fushatën ushtarake amerikane kundër anijeve të dyshuara për trafik droge, e cila filloi në shtator, nuk shtrihet te objektivat tokësorë.
Opinioni aktual i OLC-së përfshin një listë me 24 kartele dhe organizata kriminale të ndryshme me bazë në Amerikën Latine, të cilat, sipas njërit prej burimeve, administrata është e autorizuar t’i shënjestrojë.
Megjithatë, administrata Trump po kërkon një opinion të veçantë ligjor nga Departamenti i Drejtësisë që do të mundësonte nisjen e sulmeve kundër objektivave tokësorë pa pasur nevojë për autorizim nga Kongresi, ndërsa një zyrtar amerikan tha se ende nuk është marrë asnjë vendim për të ecur përpara me një ndërhyrje të tillë.
“Ajo që është e vërtetë një ditë, mund të mos jetë e vërtetë ditën tjetër,” tha zyrtari amerikan, duke theksuar se Trump ende nuk ka vendosur për qasjen ndaj Venezuelës.
Grumbullimi i aseteve ushtarake në Karaibe, i cili pritet së shpejti të përfshijë edhe Ford Carrier Strike Group, ka ngritur dyshime për një sulm të mundshëm kundër Venezuelës. Por, sipas burimeve, këto asete janë vendosur vetëm për të mbështetur operacionet kundër narkotikëve dhe për mbledhje të të dhënave të inteligjencës.
Administrata, deri më tani, ka tentuar të shmangë përfshirjen e Kongresit në fushatën e saj ushtarake në Amerikën Latine. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i tha Kongresit javën e kaluar se ushtria amerikane mund të vazhdojë sulmet vdekjeprurëse ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës pa miratimin e Kongresit, duke pretenduar se administrata nuk është e detyruar nga ligji i vjetër për fuqitë e luftës që kërkon bashkëpunim me ligjvënësit.
Që nga shtatori, ushtria amerikane ka kryer 16 sulme të njohura kundër anijeve në Karaibe dhe Paqësorin Lindor, duke vrarë të paktën 67 persona. Sulmet, sipas burimeve, bazohen në të dhëna të inteligjencës që tregojnë se anijet janë të lidhura me kartele apo organizata kriminale specifike.
“Mendoj se asetet tona të inteligjencës janë mjaft të mira”, deklaroi Senatori demokrat Mark Warner duke shtuar se beson që administrata ka dukshmëri të lartë mbi trafikun e drogës në rajon.
Megjithatë, ai shprehu dyshime pse administrata po përdor forcë vdekjeprurëse ndaj anijeve në vend që t’i ndalojë ato, siç ka bërë tradicionalisht Roja Bregdetare, gjë që mund të siguronte prova më të plota për trafikimin.
Zyrtarët e administratës kanë përsëritur se posedojnë informacion që lidh anijet me trafik droge, por kanë dhënë pak detaje publikisht.
“Mund t’ju siguroj se secili prej këtyre sulmeve përfshin anije dhe ngarkesa që janë gjurmuar që nga fillimi,” tha Rubio në fund të tetorit.
“Ne e dimë se ku po shkojnë, nga cilat pika nisen dhe cilat organizata janë të përfshira. Gjithçka gjurmohet me shumë kujdes.”
Rubio shtoi se “ka qindra anije çdo ditë” dhe se shumë objektiva hiqen nga lista e sulmeve pasi nuk përmbushin kriteret:
“Kjo kalon nëpër një proces shumë rigoroz,” theksoi ai.
Top Channel