Hungaria vazhdon të lëshojë leje qëndrimi për qytetarët rusë, BE shpreh shqetësim: Po monitorojmë situatën

06/11/2025 18:14

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimin se Hungaria vazhdon të lëshojë karta kombëtare për leje qëndrimi për qytetarët rusë bazuar në rregullat e saj të brendshme.

Këtë e ka deklaruar zëdhënësi i ekzekutivit të BE-së, Markus Lammert, gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për viza, por për leje qëndrimi që u mundësojnë qytetarëve të huaj të jetojnë dhe të punojnë ligjërisht në vend për periudha më të gjata.

Ekzekutivi i BE-së “po monitoron” këtë fenomen dhe është “në kontakt me të gjitha shtetet anëtare, përfshirë Hungarinë”, ka vijuar Lammert.

Konteksti lidhet me mundësinë e një kufizimi të ri nga BE-ja për lejet Shengen me hyrje të shumëfishta për qytetarët rusë. Lammert theksoi se që nga pushtimi i Ukrainës në shkallë të gjerë, BE-ja ka pezulluar marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Rusinë dhe ka miratuar një sërë udhëzimesh për të ndihmuar shtetet anëtare të ulin prioritetin për vizat ndaj rusëve.

“Komisioni po monitoron me kujdes zbatimin e këtyre udhëzimeve dhe po punojmë me shtetet anëtare për të promovuar një zbatim të qëndrueshëm,” tha ai.

Deri më tani, veprimi i përbashkët në nivel BE-je “ka sjellë një ulje të ndjeshme të numrit të vizave Shengen të lëshuara për qytetarët rusë, nga mbi 4 milionë në vitin 2019 në 500 mijë në vitin 2023,” vijoi zëdhënësi, duke konfirmuar se ekzekutivi po “shqyrton masa shtesë” dhe u kërkoi gazetarëve të “qëndrojnë të informuar” për zhvillime të mëtejshme.

Më pas, Lammert sqaroi se lëshimi i vizave është në kompetencë të shteteve anëtare dhe Komisioni nuk mund ta ndalojë këtë proces. “Ajo që Komisioni mund të bëjë, kur është e nevojshme, është që të miratojë rregulla më lehtësuese ose më kufizuese për lëshimin e, për shembull, vizave me hyrje të shumëfishta që të gjitha konsullatat Shengen duhet të ndjekin,” përfundoi ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta