Ukraina mohoi pretendimet e Rusisë se forcat e saj janë rrethuar, teksa po luftojnë për të mbajtur Pokrovskun, një qytet strategjik në lindje të Ukrainës që po përballet me sulme intensive ruse.
Kjo qendër e rëndësishme në rajonin ukrainas të Donjeckut gjendet në mes të linjave të mëdha furnizuese për ushtrinë ukrainase dhe Moska ka tentuar që ta marrë nën kontroll për më shumë se një vit.
Deri në 300 ushtarë rusë po luftonin në qytet në ofensivën e re, tha më herët gjatë kësaj jave presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai vizitoi trupat pranë Pokrovskut të martën, duke premtuar se do të bëjë “çmos” për ta mbajtur atë nën kontrollin e Kievit.
Më vonë, të mërkurën, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase publikoi një video të Zelenskyt duke inspektuar trupat “në drejtimin e Pokrovskut”. Ushtria ukrainase nuk specifikoi se kur ishte xhiruar kjo video.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase vendosën të pezullojnë linjën hekurudhore drejt Sllovianskut dhe Kramatorskut, dy qytete të mëdha në rajon që janë ende nën kontrollin e Kievit dhe gjenden afër Pokrovskut.
Ushtria ruse të martën tha se po “ngushtojmë rrethimin e armikut” në Pokrovsk dhe pretendoi se kishte marrë nën kontroll disa dhjetëra ndërtesa në qytet.
Por, të mërkurën Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha se “nuk ka asnjë rrethim të njësiteve dhe divizioneve tona”.
“Janë ndërmarrë masa për të bllokuar armikun, i cili po tenton të depërtojë” në qytet, u tha në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale.
“Rezistenca aktive ndaj përpjekjeve të grupeve të këmbësorisë të armikut për të vendosur pozicione është ende duke vazhduar”.
Pokrovsku, që para luftës kishte rreth 60.000 banorë, tani është kryesisht një qytet i braktisur dhe i shkatërruar nga luftimet.
Ukraina gjatë fundjavës dërgoi forca speciale për të forcuar mbrojtjen e qytetit.
Rusia ka marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Ukrainës lindore dhe jugore që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022./ REL
Top Channel