Përplasi turmën e njerëzve me makinë në Francë, mes të plagosurve zyrtare e partisë së Le Pen, autori dyshohet se ishte…

05/11/2025 18:44

Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin francez Île d’Oléron, një vendpushim i njohur në brigjet e Atlantikut, ku një burrë 35-vjeçar përplasi me makinën e tij një grup njerëzish, përfshirë edhe një zyrtare të partisë së Le Pen.

Sipas autoriteteve franceze, të paktën dhjetë persona u plagosën, ndërsa tre ndodhen në gjendje kritike. Autori u arrestua menjëherë në vendngjarje.

Policia franceze bëri të ditur se i dyshuari është banor i ishullit Oléron dhe ka një histori të gjatë penale, përfshirë sjellje të paqëndrueshme, përdorim droge dhe alkooli.

Gjatë kontrollit të mjetit, hetuesit gjetën disa bombola gazi, çka ngre dyshime se ai mund të ketë synuar të shkaktonte një shpërthim. Para arrestimit, ai u përpoq t’i vinte flakën makinës, por u neutralizua nga policia.

Prokurori i La Rochelle tha se veprimi ishte “i qëllimshëm”, por motivi ende nuk është konfirmuar.

“Në momentin e arrestimit ai bërtiti ‘Allahu Ekber’. Hetimi do të përcaktojë motivet e sakta të sulmit”, deklaroi prokurori.

Ndër të plagosurit është edhe Emma Vallain, 22 vjeçarja asistente parlamentare e deputetit Pascal Markowsky, anëtar i Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen.

Presidenti i partisë, Jordan Bardella, u shpreh se është “thellësisht i tronditur” dhe dërgoi “ngushëllime për të plagosurit, veçanërisht për Emmën e vogël”, pa komentuar mbi motivin e autorit.

Edhe politikani Éric Zemmour, lider i partisë Ripushtimi, reagoi në rrjetet sociale.

“Vetëm pak vite më parë, vende si Île d’Oléron ishin të qeta. Sot shohim xhihadistë që shfaqen në të gjithë Francën. Mendimet e mia janë me viktimat”, tha ai.

Ministri i Brendshëm francez konfirmoi se është hapur një hetim për tentativë vrasjeje, ndërsa shërbimet antiterrorizëm ndodhen në vendngjarje.

“Këtë mëngjes, një shofer goditi këmbësorë dhe çiklistë në Saint-Pierre-d’Oléron dhe Dolus-d’Oléron. Dy persona janë në gjendje kritike dhe tre të tjerë të plagosur rëndë. Autori u arrestua nga xhandarmëria”, shkroi ministri në platformën X.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili po udhëton drejt Brazilit, po ndjek situatën në kohë reale përmes Ministrit të Brendshëm.

“Pashë një grua të shtrirë përtokë, pa lëvizur. Mendova se ishte e vdekur. U deshën rreth 35 minuta që ambulancat të mbërrinin dhe më pas ajo u transportua me helikopter në spital”, tregon një dëshmitar.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta