Makina merr para turmën e këmbësorëve në Francë, plagosen 10 persona
Zohran Mamdani ka shkruar histori në Shtetet e Bashkuara.
Mamdani, me origjinë nga Uganda dhe Indi, dhe me besim mysliman, fitoi bindshëm zgjedhjet për kryebashkiak të New York-ut, duke u bërë kryetari i parë mysliman dhe i pari nga Azia e Jugut që drejton metropolin amerikan.
Fitorja e tij erdhi pas një beteje të ashpër politike, ku Mamdani mundi Andrew Cuomo, i cili tentoi rikthimin në politikë pas skandalit seksual që e detyroi të jepte dorëheqjen në vitin 2021. Por këtë herë, votuesit zgjodhën një figurë të re, të majtë dhe progresiste.
Në fjalimin e tij të fitores, 34-vjeçari dërgoi një mesazh të fortë politik “Nëse dikush mund t’i tregojë një kombi të tradhtuar nga Donald Trump se si ta mposhtë atë, është qyteti që e lindi atë.”
Mamdani ka qenë një kritik i fortë i presidentit amerikan, i cili madje u përpoq të ndikonte zgjedhjet duke mbështetur rivalin e tij, Cuomo.
Pak vite më parë, Zohran Mamdani ishte i njohur në skenën artistike me emrin “Young Cardamom”. Ai u bë i famshëm me këngën virale “#1 Spice”, e përfshirë në filmin e Disney “Queen of Katwe”, të regjisores Mira Nair, mamaja e tij.
I lindur në Kampala të Ugandës, i rritur mes Afrikës dhe Shteteve të Bashkuara, Mamdani u natyralizua si qytetar amerikan vetëm në vitin 2018. Ai u përfshi në politikë pasi punoi si këshilltar për parandalimin e konfiskimeve të banesave, duke ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta të mos humbnin shtëpitë e tyre.
Fushata e tij është bazuar tek premtimet për politikat sociale, ku përfshihen: transport urban me autobusë falas; ngrirje e qirave për 1 milion apartamente të rregulluara me qira; rritje e pagës minimale; ndërtim i mijëra banesave të përballueshme; zgjerim i shërbimeve publike dhe kujdesit për fëmijë falas.
Sipas tij, këto programe do të financohen me taksa më të larta për më të pasurit.
Mamdani ka marrë mbështetje të fortë nga figura të majta si Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, por edhe kritika nga demokratët moderatë dhe republikanët. Qëndrimet e tij të forta pro Palestinës dhe kritika ndaj Izraelit kanë ndezur debat në politikën amerikane.
Gjithsesi, përkrahësit e tij thonë se fitorja shënon një kapitull të ri në politikën e qytetit.
“Ky është fillimi i një epoke të re për Nju Jorkun, një qytet për punëtorët, jo për oligarkët,” u shpreh ai në mitingun e fitores.
Mamdani do të marrë detyrën në janar, duke zëvendësuar Eric Adams, i cili hoqi dorë nga gara pas hetimeve të zgjatura mbi financimet e fushatës së tij.
Top Channel