E rrallë, Kurti mbështet Thaçin: S’ka arsye ligjore përse krerët e UÇK-së të mbeten në Hagë
Në një ceremoni zyrtare dhe solemne në Pallatin Presidencial të Athinës, Kimberly Guilfoyle i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës Helenike, Konstantinos Tasulas, duke marrë zyrtarisht detyrën si ambasadore e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi.
Presidenti e mirëpriti ambasadoren amerikane në fillim të mandatit të saj diplomatik, ndërsa gjatë një bisede të shkurtër përpara kamerave, ajo ka treguar se përveç vizitave të mëparshme në Greqi për muajin e mjaltit, në ishujt Mykonos, Korfuz dhe Santorini kishte mbuluar edhe sigazetare e ABC lojërat Olimpike në vitin 2004.
Menjëherë pas ceremonisë, ambasadorja amerikane zhvilloi takimin e parë zyrtar me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Jorgos Gerapetritis, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e energjisë dhe sigurisë, si dhe për rolin e Greqisë si partner strategjik në Mesdheun Lindor.
Sot në mëngjes, Kimberly Guilfoyle u prit nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis në zyrën e tij . Kreu i qeverisë greke e përshëndeti ardhjen e saj në një moment kur – siç tha – marrëdhëniet greko-amerikane ndodhen në një nivel të lartë historikisht.
Mitsotakis vuri në dukje rolin e Greqisë si portë hyrëse e gazit natyror të lëngshëm për rajonin dhe si një shtyllë stabiliteti në Mesdheun Lindor, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve amerikane në Greqi.
Nga ana e saj, ambasadorja amerikane e cilësoi si nder dhe privilegj të jetë në “djepin e demokracisë”, duke shprehur bindjen se partneriteti mes SHBA-së dhe Greqisë do të arrijë nivele të reja bashkëpunimi në fushat e politikës, tregtisë, sigurisë dhe energjisë.
Ajo pritet të japë më tej drejtimin e diplomacisë amerikane në Athinë gjatë Forumit Transatlantik për Energjinë, që zhvillohet këtë javë me pjesëmarrjen e dhjetëra ministrave dhe zyrtarëve të lartë nga SHBA dhe Evropa.
Kimberly Guilfoyle është ambasadorja e 25-të e SHBA-ve në Greqi dhe e para grua që mban këtë post në historinë e marrëdhënieve dypalëshe. Ish-prokurore dhe personalitet televiziv në SHBA, ajo njihet si një figurë e afërt me komunitetin greko-amerikan dhe një zë i fortë për forcimin e lidhjeve transatlantike.
Top Channel