‘Trump ka të drejtë për Venezuelën’, liderja e opozitës, Machado: Maduro është narko-terrorist
Një nga të arrestuarit për vjedhjen e xhevahireve të kurorës nga muzeu i Luvrit, me vlerë 88 milionë euro, është një figurë e njohur në mediat sociale dhe pasionant i motoçikletave.
I identifikuar si Abdoulaye N., 39-vjeç, ai ka punuar më parë si roje sigurie në Qendrën Pompidou dhe është arrestuar në Aubervilliers, periferi në veri të Parisit, gjashtë ditë pas grabitjes më 19 tetor. Ai përballet me akuza për vjedhje të organizuar dhe konspiracion kriminal.
Një gjykatë në Bobigny shtyu seancën e tij për akuza të tjera të vogla, duke argumentuar se vëmendja e medias e bënte të pamundur një seancë të qetë. Avokati i tij, Maxime Cavaillé, deklaroi se mbrojtja do të ruajë respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe privatësinë e klientit, pavarësisht natyrës së jashtëzakonshme të rastit.
Sipas hetimeve, katër persona janë në paraburgim, përfshirë tre anëtarë të bandës që përdorën një kamion të vjedhur me ashensor mallrash për të hyrë në galerinë Apollo. Dy prej tyre thyen dritare të pasigurta dhe vitrina xhami për të marrë gjerdanin e Napolonit I dhe diademën e Napolonit III, ndërsa dy të tjerët ikën me motoçikleta. Grabitja, e kryer gjatë ditës, zgjati më pak se shtatë minuta.
Abdoulaye N., i njohur në mediat sociale si Doudou Cross Bitume, ka publikuar video duke kryer truke me motoçikleta dhe këshilla për ndërtimin e muskujve në platforma si TikTok, Instagram dhe YouTube. Hetuesit gjetën ADN-në e tij në disa sende të braktisura në vendngjarje, përfshirë doreza, jelek dhe prerës disku. Ai dyshohet të ketë qenë një nga dy personat që hynë me forcë në galeri.
Fqinjët e tij përshkruajnë Abdoulaye N. si të dobishëm dhe të hapur, ndërsa mediat raportojnë se ai ka një dosje penale të pasur, me 15 vepra, përfshirë posedim droge, drejtim pa leje dhe vjedhje të mëparshme bizhuterish.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi se i dyshuari nuk ka dhënë shumë informacione, por ka pranuar pjesërisht përfshirjen e tij në grabitjen e Luvrit. Profili i të dyshuarve nuk korrespondon me krimin e organizuar profesional, duke lënë të hapur mundësinë që ata të jenë punësuar nga një tjetër i panjohur deri tani.
Top Channel