Avioni që transportonte postën në SHBA rrëzohet pak pas ngritjes në ajër, 3 të vdekur dhe 11 të plagosur (VIDEO)

05/11/2025 02:36

Një avion transporti i UPS, që po transportonte tre anëtarë ekuipazhi, u rrëzua pak pasi u ngrit nga aeroporti pranë Louisville, Kentucky, pak pas orës 5 pasdite, koha lokale. Një shtullungë e madhe tymi të zi u ngrit jo shumë larg pistës në Aeroportin Ndërkombëtar “Louisville Muhammad Ali”.

Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear, tha se janë raportuar të paktën tre viktima dhe ai beson se “ai numër do të rritet.” Të paktën 11 lëndime janë konfirmuar, disa prej tyre “shumë të rënda.” Kryetari i Louisville, Craig Greenberg, tha pak para konferencës për shtyp të guvernatorit se kishte “disa të lënduar dhe zjarri ende nuk është fikur,” duke shtuar se qyteti ka “çdo agjenci emergjente që po përgjigjet në vendin e ngjarjes.”

Guvernatori Andy Beshear tha se statusi i ekuipazhit në bord të avionit është ende i pasigurt dhe ata po punojnë për të kontaktuar sa më shpejt familjet e prekura. “Kushdo që ka parë pamjet në video e di sa i dhunshëm është ky aksident, dhe ka shumë familje që do të presin dhe do të shqetësohen për një periudhë kohe,” tha ai.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) po hetojnë aksidentin e fluturimit UPS 2976. NTSB do të udhëheqë hetimin, tha FAA e martën.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta