U ngacmua nga shokët e shkollës, 15-vjeçari në Britani kryen vetëvrasje

04/11/2025 16:28

Një djalë 15-vjeçar në Britaninë e Madhe ka kryer vetëvrasje pasi është ngacmuar në shkollë nga shokët e tij.

Jack Allott u gjet i vdekur nga prindërit e tij në fermën familjare në Barnsley në janar, pas disa javësh torturash nga një grup fëmijësh në shkollën e mesme. Sipas Daily Mail, rezultati i hetimit për rastin ishte se adoleshenti i mori jetën vetes pasi nuk ishte në gjendje të përballonte ngacmimin.

Përpara se të vetëvritej, 15-vjeçari i kishte thënë nënës së tij, Sarah Richardson, se po “shqetësohej” nga “shokët e tij” në shkollën e mesme. Ajo i tha Gjykatës së Kurorës në Sheffield se Jack ishte shënjestruar “sepse ishte shumë i sjellshëm”. Nëna tha se gjeti gjithashtu një shënim që 15-vjeçari kishte lënë pas, i cili e ndihmoi të kuptonte se çfarë kishte ndodhur.

Familja zotëron një fermë dhe 15-vjeçari ia mori jetën vetes pikërisht atje. Djali u dërgua në spital ku u shpall i vdekur.

“Ai ishte një djalë kaq i lumtur, i sjellshëm, i dashur dhe bujar. Ai ishte kaq i sjellshëm dhe për shkak se ishte kaq i sjellshëm, ai u shënjestrua”, u tha Sarah autoriteteve, sipas YorkshireLive. “Ai ishte i bukur, i ndjeshëm, bujar. Ai i donte kafshët e tij. Ai ishte numri një për mua”, shtoi ajo.

Funerali i Jack-ut u zhvillua më 28 shkurt dhe ai u nderua nga një procesion prej gati 100 traktorësh, të cilët “paralizuan Barnsley-n”. Tractor Lads Around Penistone po mbledhin para për Bee Kind for Honey, një organizatë bamirëse për parandalimin e vetëvrasjeve nga të rinjtë në Barnsley, duke organizuar një turne me traktorë për Krishtlindje në nëntor.

“Nëse mund ta ndalojmë një familje që të kalojë nëpër atë që kaloi familja e Jack-ut, do të kemi arritur atë që kemi synuar”, tha Andy Lucas, një anëtar i Tractor Lads Around Penistone.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta