Ndahet nga jeta Patriarku i familjes më të pasur të Anglisë, jeta e tij mes shkëlqimit dhe akuzave Kritikat lokale nuk e kanë frenuar dot OK-in e një përshpejtimi të projektit të ndërtimit që Jared Kushner – dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump – planifikon në Beograd.
Për këtë qëllim, Kuvendi i Serbisë pritet të miratojë një ligj të posaçëm mbi projektin e mbështetur nga partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçic, i cili flet nga ana e tij për “një hotel madhështor”.
Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trumpit dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit, vitin e kaluar bëri publik planin për një kompleks hotelier prej 500 milionë dollarësh në qendër të Beogradit.
Projekti përqendrohet në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, në zemër të kryeqytetit, e cila u bombardua nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999, gjatë fushatës për të ndaluar sulmet serbe në Kosovë.
Me gjithë dëmtimet, ndërtesa mbeti nën mbrojtje, për shkak të vlerës arkitekturore, sipas aktivistëve lokalë. Ligji i ri i propozuar e anashkalon këtë mbrojtje, duke e shpallur projektin “prioritet kombëtar”.
Ai parashikon që “të gjitha procedurat për zbatimin e projektit të rindërtimit të Shtabit të Përgjithshëm të trajtohen si urgjente” dhe që “të gjitha institucionet shtetërore të marrin vendime brenda kompetencave të tyre pa vonesa”.
Në nëntor të vitit 2024, Qeveria serbe hoqi statusin e mbrojtur të ndërtesave, duke hapur rrugën që kompania e Kushnerit të vazhdonte me projektin, çka ngjalli zemërimin e mbrojtësve të trashëgimisë kulturore.
Top Channel