Masakër në Sudan/ Sulm me dron gjatë një funerali, të paktën 40 të vrarë

04/11/2025 17:00

Të paktën 40 persona janë vrarë në Sudan, në një sulm me dron që kishte në shënjestër një funeral që po zhvillohej jashtë qytetit të kontrolluar nga ushtria, el-Obeid, në shtetin e Kordofanit të Veriut.

Sulmi ndodhi të hënën, ndërsa të afërmit ishin mbledhur në një tendë mortore. Zyrtarët dhe aktivistët fajësuan Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) për sulmin, ndërsa grupi paraushtarak ende nuk ka reaguar.

Sipas raporteve, shumë nga viktimat humbën jetën para se të arrinin në spitalin e el-Obeid. Luftimet janë intensifikuar në këtë zonë të pasur me naftë, dhe rreth 20 mijë persona janë zhvendosur javën e kaluar drejt el-Obeid pasi RSF mori kontrollin e qytetit Bara, rreth 30 kilometra në veri.

Pas marrjes së el-Fasherit, janë raportuar vrasje masive, dhunë seksuale, rrëmbime dhe plaçkitje të përhapura nga luftëtarët e RSF-së. OKB-ja njoftoi gjithashtu për ekzekutime të civilëve në Bara. Gjykata Ndërkombëtare Penale paralajmëroi se këto mizori mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ndërsa udhëheqësi i RSF-së ka premtuar hetime, grupi mohon akuzat se ofensiva ka motivime etnike.

Ndërkohë, një grup ndërkombëtar ekspertësh të sigurisë ushqimore raportoi se banorët e el-Fasherit po vuajnë nga uria pas rrethimit 18-mujor nga RSF-ja, që ka ndërprerë furnizimet drejt qytetit rreth 300 km në jug të el-Obeid.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës, duke paralajmëruar për përkeqësimin e krizës humanitare.

“Kriza e tmerrshme në Sudan po del jashtë kontrollit”, deklaroi ai në një samit në Doha, duke shtuar se situata në el-Fasher përkeqësohet çdo ditë pas hyrjes së forcave të RSF-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta