Kina godet supermafian e Mianmarit, dënon me vdekje bosin e familjes mafioze që kontrollonte qytetin famëkeq të bixhozit dhe mashtrimit						
								
			Udhëheqësi kurd i burgosur, Abdullah Oçalan, bëri thirrje për veprim me “seriozitet dhe ndjenjë përgjegjësie” për ta mbyllur procesin e paqes me Turqinë, në një mesazh të publikuar nga ligjvënësit turq sot.
“Për të kaluar në një fazë pozitive, është thelbësore që të gjithë të veprojnë me ndjeshmëri, seriozitet dhe ndjenjë përgjegjësie”, shkroi udhëheqësi historik i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i cili u vizitua nga një delegacion nga partia pro-kurde DEM dje.
Abdullah Oçalan, i cili në shkurt bëri thirrje për shpërbërjen e lëvizjes së tij, është mbajtur në izolim në ishullin burg të Imralit, pranë brigjeve të Stambollit, që nga viti 1999.
PKK njoftoi më 26 tetor se luftëtarët e saj të fundit të pranishëm në Turqi ishin tërhequr në veri të Irakut, duke përfunduar kështu fazën e parë të procesit të paqes që Ankaraja nisi një vit më parë.
Gjatë një ceremonie në korrik, rreth tridhjetë luftëtarë dogjën simbolikisht armët e tyre.
Partia pro-kurde, partia e tretë më e madhe në parlamentin turk, po bën thirrje për “një fazë të dytë, përkatësisht fazat ligjore dhe politike”.
“Po bëjmë përpjekje për të zhvilluar një fazë pozitive, jo një fazë shkatërruese dhe negative. Integrimi i fenomenit kurd në të gjitha dimensionet e tij brenda kuadrit ligjor të Republikës dhe një proces i qëndrueshëm tranzicioni duhet të jenë themeli”, shkruan ai.
Një komision parlamentar ndërpartiak ka planifikuar këtë tranzicion drejt paqes që nga gushti. Kryesisht do të duhet të vendosë për fatin e Abdullah Oçalanit dhe garancitë e mundshme të sigurisë për luftëtarët e tij.
Lirimi i udhëheqësit 76-vjeçar kurd është në zemër të kërkesave të PKK-së. Në shtator, atij iu lejua të takohej me avokatët e tij për herë të parë në gjashtë vjet.
Analistët thonë se PKK është dobësuar nga dekada kryengritjeje që ka vrarë të paktën 50,000 njerëz, sipas shifrave zyrtare. Dhe komuniteti kurd, i cili përbën rreth 20% të popullsisë prej 86 milionë banorësh të Turqisë, është i rraskapitur nga konflikti i gjatë.
Top Channel