Incidenti në veri nga xhandarmëria serbe, reagon Kurti: Sulmet kanë për qëllim disiplinimin e serbëve
Bashkimi Evropian pritet të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vëna që prej vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, nga Brukseli, pas prezantimit të progres-raportit për vendet kandidate për në BE, ku vlerësohej përparimi i Kosovës në disa fusha, përfshirë në luftën ndaj korrupsionit.
“Përsa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës në progres-raport, ne besojmë se mund t’i heqim këto masa sa më shpejt të jetë e mundur, pasi dhe zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe normale”, u shpreh Marta Kos.
Serbia është vendi i rajonit që ka shënuar përkeqësim në luftën ndaj korrupsion. Është ky shqetësimi që ngrihet në progres-raport, ku thuhet mes të tjerash se “Reformat janë ngadalësuar ndjeshëm. Ka pakënaqësi nga qytetarët, për shkak të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies dhe presionit ndaj shoqërisë civile”. Për këtë arsye, qëndrimi i komisioneres Kos ndaj Beogradit ishte kritik.
“Sa i përket Serbisë, progres-raporti është kritik, sigurisht. Qeveria dhe Vuçiç na kanë premtuar se do arrijnë t’i përmbahen angazhimeve. Ne po presim që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ne duhet të pranojmë që duhet të ketë një ritëm tjetër, në zbatimin e rekomandimeve që kanë të bëjnë me ligjin e ri elektoral”, shtoi Kos.
Komisionerja Marta Kos kishte kritika dhe për Maqedoninë e Veriut, për të cilën tha se nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në procesin e negociatave, por vlerësoi punën e Malit të Zi, duke e vlerësuar, ashtu si Shqipërisë, lider në procesin e anëtarësimit.
“Mali i Zi është më i avancuari dhe më i përgatituri drejt zgjerimit. Mali i Zi kërkon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s. Së shpejti do të kemi lajme pozitive. Do kemi edhe një paketë financiare për Malin e Zi”.
Për Bashkimin Evropian, zgjerimi është një objektiv realist i viteve të ardhshme për disa vende kandidate.
Top Channel