E njëjta Gjykatë, por me dy standarde. Sokol Sadushi ka asgjësuar fletët e votimit në rastet e shkuara të përzgjedhjes së anëtarëve për në Gjykatën Kushtetuese, nga viti 2022-2023, pasi i quan pa vlerë juridike.
Ndryshe nga procesverbali i mbledhjes së posaçme të gjyqtarëve në garën mes Asim Vokshit dhe Naureda Llagamit, ku fletët e votimit janë pjesë e dokumentave zyrtare të ruajtura nga Gjykata e Lartë.
Top Channel i drejtoi një kërkesë për informacion Gjykatës së Lartë për rastet e mëparshme ku votat janë shpallur të pavlefshme dhe, për efekt transparence, të shfaqnin kopje të çdo flete votimi gjatë mbledhjeve të gjyqtarëve për votimin ku fituan Sandër Beci, Ilir Troska dhe Holta Zaçaj. Por përgjigja nxjerr në pah një mungesë uniformiteti në praktikë, me qëndrime të ndryshme në raste të ngjashme.
“Gjykata e Lartë sqaron se fletët e votimit nuk përbëjnë akt juridik, por dokumente ndihmëse të përdorura vetëm gjatë procesit të numërimit për verifikimin e rezultatit të votimit. Pas certifikimit të rezultatit përfundimtar nga Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve, përdorimi i fletëve të votimit për qëllime proceduriale përfundon.”
Gjykata e Lartë pretendon se dokumentet që mbartin vlerë provuese dhe efekt juridik janë procesverbali i komisionit të votimit dhe vendimi përfundimtar i mbledhjes që ruhet në arkiv dhe mund të aksesohet sipas ligjit për të drejtën e informimit.
Por nga studimi i procesverbaleve, Top Channel vë re se nuk është vepruar njësoj me vendimet e anëtarëve të mëparshëm, si me rastin e fundit që shpallën fitues Asim Vokshin me 3 vota më pak se Naureda Llagami, ku në përbërje të procesverbalit është edhe faqja me rezultatet e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka edhe shpjegime të detajuara për fletët e votimit të shpallura të pavlefshme.
Në procesverbalin e votimit të gjyqtarit Sandër Beci specifikohet vetëm se ka katër fletë të pavlefshme, ku në tre fletë është konstatuar se është votuar për të tre kandidatët në çdo rresht, ndërsa në një fletë për asnjë nga ata që ishin në garë. E kundërta ka ndodhur në procesverbalin e përzgjedhjes fituese të Holta Zaçaj, ku thuhet vetëm se ka pasur tre fletë të pavlefshme, pa dhënë asnjë detaj më shumë.
Për të qenë plotësisht të qartë, Top Channel e pyeti Gjykatën e Lartë nëse ka raste të mëparshme ku fleta e votimit ka pasur shenja të tjera, si në situatën e Naureda Llagamit; dhe se si ishin vlerësuar? Morëm një përgjigje pa përgjigje. Por nuk pati një mohim. Fletët e votimit janë zhdukur. Detajet në procesverbal për fletët e pavlefshme nuk janë në çdo proces shteruese.
Kjo qasje me ruajtjen selektive të dokumentave dhe standardet e dyfishta në procesverbale bie ndesh me atë që thotë kreu i Gjykatës së Lartë, duke minuar parimin e barazisë dhe transparencës. Situata e papërputhshmërisë së procedurave pas mbledhjeve së posaçme të gjyqtarëve ngre dyshime të forta për paanshmërinë e veprimeve administrative të Gjykatës së Lartë. Veprime të tilla vendosin në pikëpyetje edhe perceptimin publik për besueshmërinë e Gjykatës së Lartë si institucion që garanton drejtësi.
Top Channel