“I pari politikan i persekutuar në demokraci”, Gramoz Ruçi i jep lamtumirën e fundit Nanos: Dha dorëheqjen në zgjedhjet e para që humbi

02/11/2025 11:28

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dhënë sot lamtumirën e fundit Fatos Nanos, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.

Në një prononcim për mediat ai tha se Nano do të mbahet mend si i pari politikan i persekutuar me 4 vite burg në demokraci.

“Sot është dita që të nderojmë e të përkujtojmë Fatos Nanon, si të parë si themelues i PS, si reformues i PS, si i parë si demokratizues, transformues i PS, si lider i PS në 14 vite kur nuk ka për të ndodhur më që në harkun e 14 viteve, 4 vite t’i kalosh në izolim dhe 8 vite ta mbash forcën politike në pushtet, në dekadën e parë të transformimit të kësaj force politike si asnjë tjetër në Europë”, tha Ruçi.

Sipas tij “Do të mbahet mend si i pari që në zgjedhjet e para dhe të fundit që humbi dha dorëheqjen e parevokueshme duke e lënë të lirë forcën politike dhe gjeneratën e re të marrë drejtimin. I hapi rrugën dy djemve të rinj të PS 30 vjeçarë të bëheshin kryeministra. Do ngelet një qytetar ekselent, një politikan race dhe do të mbahet mend si i i pari politikan që në demokraci është persekutuar katër vite. I paharruar kujtimi i vëllait tim Fatos Nano. Sot e kanë nderuar përfaqësues nga Shqipëria dhe bashkëkombësit tanë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta