“Na ktheni stolitë tona, ka ende kohë”, Konti i Parisit thirrje publike grabitësve të Luvrit: Ato janë pjesë e shpirtit të Francës

01/11/2025 23:00

Konti i Parisit, Jean d’Orleans, pasardhës i mbretërve francezë, i është drejtuar publikisht autorëve të vjedhjes spektakolare në Muzeun e Luvrit, duke kërkuar kthimin e stolisë mbretërore të vjedhur.

Ai tregoi me emocion fotografi të familjes, ku shihet stërgjyshja e tij, Marie-Isabelle d’Orleans, duke mbajtur stolinë me safir, të cilën grabitësit e vodhën më 19 tetor.

“Është diçka shumë personale dhe intime. Këto stoli përdoren në momente të veçanta familjare dhe janë pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare. Pas vjedhjes, francezët treguan sa shumë lidhen me këtë trashëgimi,” tha ai.

Stolia e cila vendoset në kokë, blerë nga mbreti Louis-Philippe në vitin 1821, qëndroi mbi një shekull në familjen Orleans, para se gjyshi i Jean d’Orleans ta shiste muzeut të Luvrit në vitin 1985 për pesë milionë franga.

Vjedhja, e kryer në mes të ditës, tronditi Francë, grabitësit larguan thesare me vlerë mbi 100 milionë dollarë në disa minuta, duke e bërë këtë grabitjen më të madhe në Luvër që nga viti 1911, kur u vodh Mona Lisa. Policia ka kryer disa arrestime, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Mes objekteve të vjedhura janë tetë stoli të shekullit XIX, përfshirë diademën dhe qaforen e Mbretëreshës Marie-Amelie, si dhe një broshë dhe një diademë të Perandoreshës Eugénie.

“Na ktheni stolitë tona. Ka ende kohë. Për familjen tonë dhe për popullin francez, është e rëndësishme që këto bizhuteri të kthehen në vendin e tyre në Luvër. Ato janë pjesë e shpirtit të Francës,” shtoi Konti i Parisit, duke e krahasuar reagimin publik pas grabitjes me ndjenjat e forta që shoqëruan zjarrin në Katedralen Notre-Dame në vitin 2019.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta