Mbyllet fushata ndërgjegjësuese për “Tetorin Rozë” në Fier, mjekët thirrje për të bërë kontrollet

01/11/2025 09:34

Në një vend ku çdo ditë lind jeta, në maternitetin e Fierit, u mbyll me një mesazh të fortë shprese dhe ndërgjegjësimi muaji Tetor Rozë, fushata e përvitshme kundër kancerit të gjirit.

Ky aktivitet simbolik solli bashkë mjekë, paciente, përfaqësues institucionesh dhe qytetarë që dhanë një mesazh të qartë: lufta kundër kancerit nuk mbaron me mbylljen e tetorit, por vazhdon çdo ditë të vitit.

Në përmbyllje të fushatës, mjekja onkologe Anisa Mone theksoi se “një muaj nuk mjafton” për të luftuar këtë sëmundje, e cila tashmë nuk prek vetëm gratë e moshës 50 deri në 70 vjeç, por po shfaqet gjithnjë e më shpesh edhe tek femrat e reja, madje edhe tek meshkujt.

Ajo nënvizoi rëndësinë e ekzaminimeve depistuese dhe kontrollit periodik për ta kapur sëmundjen në fazat e para, kur shërimi është i mundur.

Në të njëjtën linjë, deputetja e Qarkut Fier Antoneta Dhima u shpreh se nuk ka vend më domethënës për të mbyllur fushatën se sa materniteti, aty ku fillon jeta. “Çdo ditë e vitit duhet të jetë rozë”, theksoi ajo në fjalën e saj përshëndetëse.

Gjatë gjithë muajit tetor, në qytetet e qarkut Fier janë zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese, këshillime dhe vizita falas për gratë e çdo moshe, duke përcjellë mesazhin se kujdesi, ndërgjegjësimi dhe kontrolli i rregullt shpëtojnë jetë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta