Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të konsultimeve për mandatarin e dytë për formimin e qeverisë.

Osmani njoftoi se do të presë deri më pesë nëntor për të nxjerrë vendimin nëse ka mandat të dytë ose që vendi shkon në zgjedhje.

Kjo për shkak që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kërkoi edhe pak kohë për të dhënë përgjigje se a e ka ose jo shumicën parlamentare.

“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje njëkohësisht kryeministër në detyrë, ka kërkuar që të më takojë edhe një herë para se të skadojë afati dhjetë ditor që është përcaktim i mandatarit të dytë dhe pas konsultimeve që i ka brenda partisë politike që e përfaqëson do të vijë ose jo me propozim, mirëpo kemi detyrim kushtetues që t’i respektojmë ato afate”, u shpreh presidentja Osmani.

Kurti vetë nuk u deklarua para mediave, por shkurtimisht tha se ka afate ligjore e Kushtetuese kur u pyet nëse do shkojë vendi në zgjedhje.

Liderët e partive që deri tani kanë qenë në opozitë njëzëri deklaruan se nuk kanë shumicën e re parlamentare e se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Se paku 52 deputetë të përfaqësuar nga katër kryetarë të partive shqiptare dhe disa nga partitë minoritare edhe në takim e kanë bërë të qartë se nuk janë pjesë e asnjë shumice gjë që matematikisht e bën të pamundur arritjen e shumicës së re parlamentare”, tha Memli Krasniqqi, kryetari i PDK-së.

“Ky ishte deklarimi i përfaqësuesve të 52 deputetëve shqiptarë që praktikisht janë shumica shqiptare, në rrethanat e tanishme, në konstelacionin e tanishëm politik, nuk ka shumicë parlamentare”, u shpreh Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së.

“Do të ishte në interes të Kosovës që data e zgjedhjeve të caktohet në afat më të shpejt kohor, pra në 30 ditë. Nëse flasim – 5 nëntor, data 7 dhjetor do të ishte opsion”, tha kreu i AAK, Ramush Haradinaj.

Këto parti po ashtu thanë se në takim kanë theksuar se projektbuxheti i miratuar të premten nga qeveria në detyrë nuk duhet të shkojë në kuvend për shqyrtim e miratim.

Prandaj presidentja bëri të ditur se ka kërkuar zgjatje të ndarjeve buxhetore të buxhetit aktual, për të paktën deri në fund të muajit mars.

Ndërkohë, për mandatarin e dytë për formimin e qeverisë, duhet të pritet edhe pesë ditë, nëse Lëvizja Vetëvendosje do dërgojë propozim në presidencë.

Në rast se e bën këtë, duhet të dëshmojë që ka votat dhe të ndërrojë kandidatin për kryeministër. E në rast se nuk dërgon propozim, vendi shkon në zgjedhje që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta